FSHF Cup, kompeticioni i futbollit me 9 lojtarë, do të zhvillojë sot finalen për edicionin 2021-2022. Prestige dhe Dussel do të matin forcat në kompleksin “Skënder Halili” në kryeqytet, teksa do të luftojnë për të bërë të tyrin trofeun e shumëdëshiruar. Ndeshja do të startojë në orën 20:00 dhe pritet të jetë tepër interesante.

Prestige, një herë kampione në Sunday League, tri herë kampione në kampionatin e minifutbollit, si dhe pjesë marrëse në disa aktivitete ndërkombëtare futbolli, synon t’i shtojë palmaresit një tjetër trofe.

Rrugëtimi i Prestige në FSHF Cup nisi që me sfidën e raundit 1/8-at përballë Novës, që konsiderohej edhe si finale e parakohshme. Prestige e kaloi me sukses këtë pengesë, teksa triumfoi me rezultatin 1-0, ku autor i golit të vetëm të takimit ishte Biba.

Në çerekfinale shorti e vendosi Prestige përballë Jata Market. Koha e rregullt u mbyll 1-1 me Lleshin që barazoi për Prestige, ndërsa në shtesë Muça realizoi përmbysjen 2-1.

Në gjysmëfinale e kishte radhën Primo, të cilën Prestige e likuidoi me rezultatin e pastër 2-0, falë një magjie të Hysenbelliut dhe një goli të Kurpalit. Kujtojmë që një vit më parë Prestige eliminohej vetëm nga ruleta e penalltive në këtë kompeticion.

Ndërkohë, për sa i përket ekipit Dussel, për të mbërritur deri në finale, kjo skuadër e ka nisur rrugëtimin që në raundin 1/8-at, aty ku në sfidën debutuese ka mposhtur Antigonean me rezultatin 1-0. Më tej, në 1/8-at shkatërroi në shifrat 5-0 ekipin Elso.

Në çerekfinale kaloi me rezultatin 2-1 Vilën L, ndërsa në gjysmëfinale mundi 2-1 ekipin ATS. Tashmë FSHF Cup, i formatit Sunday League, i mungon vetëm akti i fundit, aty ku dhe do të shpallet ekipi kampion i një lëvizjeje futbollistike që po bëhet gjithnjë e më popullore në vendin tonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb