FSHF ka vendosur në mënyrë të paprecedent, që të ndryshojë kalendarin e “Final 4”, ashtu si edhe stadiumin e zhvillimit të ndeshjeve të saj, duke i vënë shkelmin rregullores së aktivitetit e vërtetuar edhe një herë se është një turne i improvizuar në vend dhe shpesh pa asnjë logjikë të mirëfilltë. Dhe fati i tij vendoset nga një ndeshje këtë fundjavë.
FSHF ka bërë ët ditur se në varësi të skenarëve të ndryshëm do të ndryshojë plani i ndeshjeve për javën e fundit të “Final 4”. Me pak fjalë, nëse titulli do të jetë i hapur në varësi të rezultateve të të dy ndeshjeve, do të luhet paralelisht me 31 maj në “Air Albania” dhe “Elbasan Arena”, ky Vllaznia-Elbasani do të jetë në kryeqytet dhe Egnatia-Dinamo në Elbasan.
Kësisoj, FSHF ka ndryshuar rregulloren në mes të garës, me ndryshim kalendari dhe vendndodhje të ndeshjeve, duke harruar plotësisht se turneu u bë që të luhej i tëri në “Air Albania” për “kushte e cilësi më të mirë, shikueshmëri e për të mbledhur më shumë tifozë:. Dërgimi potencial i ndeshjes Egnatia-Dinamo në qytetin e një rivali për titull si Elbasani, sigurisht i vë shkelmin garës së ndershme.
Ky ndryshim drastik në fakt nuk është përfundimtar dhe gjithçka varet nga përfundimi i ndeshjes Vllaznia-Egnatia këtë të shtunë. Nëse shkodranët fitojnë, atëherë del nga gara matematikisht si ekipi rrogozhinas për shkak të përballjeve direkte, ashtu si edhe ai kryeqytetas që nuk mund t’i arrijë më matematikisht kuqeblutë nga rezultatet e dy ndeshjeve që i kanë mbetur.
Kësisoj, gara për titullin kampion dhe vendimi për të hedhur në koshin e plehrave rregulloren e Abissnet Superiore siç është ideuar nga “mendjet” brenda FSHF, varet plotësisht nga ajo që do të prodhojë takimi i kësaj të shtunë në “Air Albania”. Fitorja e shkodranëve, do të kthente FSHF-në te plani fillestar, ai ku para startit të “Final 4” kishin parashikuar ndeshje në ditë të ndryshme dhe finalen Vllaznia-Elbasani që do të përcaktonte titullin.
