Elseid Hysaj po bëhet gati që t’i japë lamtumirën Lazios pas vetëm një sezoni, për të provuar një tjetër eksperiencë, këtë radhë larg Italisë. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare pritet të zbarkojë në La Liga ku e kërkon me ngulm Valencia e Rino Gattusos.

Tekniku italian njeh mirë Hysajn nga eksperienca e tij te Napoli ndaj u ka kërkuar drejtuesve që të kontaktojnë me të dhe ta bëjnë pjesë të projektit të ri. Sipas “La Repubblica”, Hysaj dhe klubi spanjoll kanë gjetur akordin për rrogën dhe janë dakord për transferimin e tij sa më shpejt që të jetë e mundur.

Pengesë bëhet vetëm kërkesa e Lacios për futbollistin, të cilin një vit më parë e siguroi me parametër zero pasi i kishte mbaruar kontrata me Napolin. Klubi bardhekaltër kërkon 5 milionë euro për kartonin e tij dhe Valencia për momentin nuk është dakord.

Spanjollët do të pranonin këtë shifër vetëm nëse do të konvertohej në bonuse të ndryshme në bazë të arritjeve sportive. Bisedimet vazhdojnë por Hysaj duket gjithnjë e më afër klubit të njohur spanjoll.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb