TIRANE- “Një grup personash, të udhëhequr nga Alban Vogli, më kanë dhunuar e gjuajtur me shkelma. Kërkuan që të më tërhiqnin zvarrë, të më fusnin në makinën e tyre ‘Fuoristradë’. Mendova se po të më fusnin aty do më eliminonin fizikisht.”. Kështu deklaroi gazetari sportiv, Eduard Ilnica, i cili mbrëmjen e djeshme mbeti viktimë e dhunës së disa personave. Ilnica ka treguar me detaje gjithë episodin e dhunës ndaj tij, ndërsa pohoi se gjithçka lidhet me një shkrim që ai kishte publikuar për dhunën e ndodhur pak ditë më parë në stadiumin e Peshkopisë.

“Mendoj se shkaku ka lidhje pas ndeshjes me Peshkopin ë ku unë isha prezent, si gazetar dhe si skuadër e vendit tim. Atje dënova dhunën e tifozëve. Ndaj në këtë sens ndoshta kam shkelur në kallo të ndonjë njeriu. Kam publikuar një shkrim në Telesport, e ndoshta kjo ka ngjallur reagim. Nuk jam sulmuar si tifozë, por si gazetar që kam nxjerr të vërtetën. Do takoja dikë për një intervistë parë vendit ku ndodhi ngjarja. Ai kishte ikur. Kthehem me telefon në dorë dhe po i drejtohesha makinës, dhe në atë momente kam parë një grup personash, të udhëhequr nga Alban Vogli, emrin e të cilit e mësova në stadiumin e Peshkopisë. Nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë. Thjesht e kam njohur nëpërmjet kësaj ndeshje dhe citimi im në shkrimin që publikova, ai e ka futur në kanalin personal. Nuk pata kohë që të reagoja. Kërkuan që të më tërhiqnin zvarrë, të më fusnin në makinën e tyre ‘Fuoristradë’. Mendova se po të më fusnin aty do më eliminonin fizikisht, duke ditur që çfarë personash ishin ata, pasi e mësova këto ditë. Dy minuta më kanë goditur pa fund, dhe shyqyr Zotit arrita të shpëtoja. Ndoshta mund të kenë qenë 6-7 grushta, se di, se mbaj mend.”, theksoi ai gjatë një interviste për Telesport.

Ndër të tjera ai bëri të ditur se kjo është një ngjarje e rëndë, pasi dhuna në sport është e patolerueshme. “Më pas në tentativën e parë që ata patën të më fusnin në makinë, më morën celularin çelësat e makinës, ikën më lanë. Jam ngritur dhe kam shkuar tek lokali ku isha dhe jam larë, pasi isha i gjakosur. Më pas vjen policia, e më çojnë në spital. Dua të falënderoj mjekët e Spitalit të Traumës dhe opinionin publik. Falë Zotit jam jashtë rrezikut për jetën. Le të letë ku rasti i fundit. Shpresoj që dhe si gazetar, por dhe si individ, nuk duhet të ketë raste të tilla. Nuk dua të goditet askush për futboll. Është ngjarje e turpshme, jo se më goditën mua, por duhet jemi më të kujdesshëm. Ndoshta ka ardhur koha që sportin tua lemë njerëzve që janë sportiv, dhe jo atyre që nuk kanë lidhje me sportiv.”, tha Ilnica.

Sakaq, gazetari Ilnica deklaroi se pavarësisht gjithçkaje nuk e braktis Shqipërinë dhe profesionin e tij. “Shumë njerëz thonë se këtu nuk jetohet më. Është e vërtetë, ne shqiptarët duhet të jemi më toleratë. Bota ka hapësirat e veta. S’ka qenë kurrë një opsion dhe s’do të jetë kurrë. Do të vazhdoj profesionin tim si gazetar sportiv. Nuk është gjetja më e mirë, ikja. Duhet tu japim shpresë brezave të rinj, për ti thënë se dhe këtu jetohet. Me përkushtimin e të gjithëve, mund të arrijmë ti eliminojmë këto raste agresiviteti”, përfundoi Ilnica.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: