NGA ILIR JANO

Është ditë e ftohtë dhjetori. Në ajër kudo ndjehet ftohtësia e dimrit. Edhe pse ajri është më i pastër dhe më i lehtë për mushkëritë, njerëzit, nën peshën e veshjeve dimërore duken sikur mezi ngopen me frymë. Dikush në shëtitje, dikush nxiton për në punë…, dikush me fëmijët për dore i ”buzëqesh’ kësaj të ftohte të ëmbël e… dikush tjetër, me fëmijët mbështjellë në gjoks i lutet Zotit për t’ i dhënë më shumë frymë të ngrohtë, për të dhënë jetë në engjëjt që aq shumë i do dhe çdo minute, në fytyrat e ngrira me sy që qajnë pa lot, lexon fëmijërinë e tyre ”pa fëmijëri” … .

“Na t’birt e shekullit të ri”, shumë herë të ngrohtë në trup dhe akull në shpirt… Një njoftim në studion televizive të News 24 në Korcë, mjaftoi që gazetarja Ledjona Xheladinaj me operatorin e saj, të shkonte pranë një familjeje që jetonte në kushtet e skajshme të varfërisë, në një kasolle me tokën dysheme dhe qiellin tavan… kasolle ku prindër e fëmijë ishin bërë një trup për të përballuar sado pak të ftohtën e një dimiri që sapo kishte trokitur në strehën e tyre pa portë…Lajm? Punë…? Detyrë? Kaq?

Mbase me realizimin e lajmit mbaron dhe puna e një gazetari, por për Ledjonën, pas lajmit fillon puna e vërtetë. Nuk ishte hera e parë. Ka vite që, kudo ku ka mjerim dhe jetë që duhen ndihmuar, Ledjona është aty. Bamirësia është dashuri dhe kush fal atë bekon dashurinë e vet. Qendruan gjatë pranë familjes Mehmetaj për të treguar qartë kushtet ekstreme në të cilën jeton kjo familje, ju dhanë shpresë dhe në të njëjtën kohë, sensibilizuan opinionin për të ndihmuar. Ndihmat nuk vonuan…sa ka jetë, do ketë dhe njerëz…sa ka besim do të ketë dhe bamirësi.

Biznesmeni Armando Pajtoni, menjëherë investon për ndërtimin dhe kompletimin e shtëpisë… .

Lot dhe gëzim…fëmijë dhe shpresë…jetë dhe dëshirë për të jetuar. Falenderimet nuk mbarojnë… Ledjona është aty…sytë e ngrirë të fëmijve filluan të lotojnë. Jeta një është dhe të gjithë kanë të drejtë ta jetojnë atë… Faleminderit Ledjona Xheladinaj!!!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: