Nga: LORISA YLLI*

Kohët e fundit me ditët që po jetojmë është shumë e vështirë të përcaktojmë gjendjen e jashtëzakonshme që po përballen qytetarët dita ditës. Kjo jo vetëm për shkak të përmbytjeve që po ndodhin në jug të Shqipërisë ku qeveria akoma nuk po merr përgjegjësitë ligjore përpara një fatkeqësie natyrore, por për çdo problem që po trajton qeveria aktuale duket sikur nuk e ka një zgjidhje apo një program për të folur me fakte dhe përgjegjësi!
Çfarë të analizojmë më parë?! Drejtësinë e munguar të një parlamenti të inkriminuar? Penalizimet dhe poshtërimet ndaj bluzave të bardha? Faturat e energjisë ku çdo kryefamiljar ankohet për rritjen e çmimit?! Karburantin më të shtrenjtë në Evropë?! Si këto ka mijëra pyetje që kërkojnë një shpjegim!
Në fakt e kam dëgjuar me vëmendje këtë qeveri sa herë që i ka trajtuar të gjitha këto çështje, pa dashur ti jap një ngjyrim partiak! Por sa here unë kam dashur të ruaj gjykimin tim të drejtë dhe objektiv ka vijuar fjalia : “Fatkeqësi të trashëguara”
Shqiptarët më 23- qershor e dhanë votën e tyre, por nuk besoj kurrsesi se kishin në mëndje t’ia besonin votën papërgjegjshmërisë totale! Prej disa ditësh në jug të vendit me mijëra familje kanë humbur gjithçka e ndërkohë përgjegjësia e kryeministrit është të bëjë disa xhiro në asfaltin e shkëlqyeshëm që ka mbetur në jug!
Në ligj, thuhet se në rastet e përmbytjeve, siç është edhe rasti i fundit në jug të vendit, gjendja e emergjencave civile mund të shpallen kur:
1. Niveli i ujërave arrin pika kritike, në disa zona të matshme;
2. Një ose më shumë lumenj, që përshkojnë vendin, kanë dalë jashtë shtratit, në përmasa të rrezikshme;
3. Prita rezervuarësh dhe diga liqenesh janë dëmtuar rëndë;
4. Jeta e popullsisë civile, e gjësë së gjallë dhe prona janë rrezikuar seriozisht.
Cila nga këto pika nuk u përmbushën gjatë këtyre ditëve akoma nuk po e kuptojmë! Apo duhet të mjaftohemi me përgjigjen se gjithshka është (jo) nën kontroll?!
Nga ana tjetër kemi shëndetësinë në një gjendje të mjerueshme ku gjatë kësaj kohe po implementohet një terror testimesh në bluzat e bardha e ndërkohë mjekët janë më të pambrojtur se kurrë nga dhuna që po ushtrohet. Medikamentet janë një tjetër problem pa zgjidhje për qeverisjen aktuale. Të dëgjoje ministrin Beqja me reformën e tij shëndetësore gjatë emisionit “Opinion” thjesht ishte për të vënë duart në kokë ! Papërgjegjshmëri e pakrahasueshme, por në këtë rast nuk mund të bëj me faj ministrin që dhe pse mund të ketë dëshirën e mirë nuk mund të trajtojë një fushë që nuk e njeh, “mjekësia” !
Energjia sot në 2015-ën faturohet 50% më shtrenjtë se në dhjetor të 2014-ës e ndërkohë kryeministri shprehet se punonjësit e Kryeministrisë ishin të lumtur se paguanin më pak ! Mos ndoshta kjo faturë e shtrenjtë është e vlefshme vetëm për popullin dhe jo për parinë kryeministrore?! Apo thjesht vazhdon papërgjegjshmëria për ti hedhur hi syve qytetarëve?!
Për sa i takon karburantit kryeministri vazhdon përsëri me të njëjtën këngë që tashmë e kemi mësuar përmendësh dhe është bërë shumë e lodhshme “ Fajin e ka Saliu”!
A nuk pati kohë të mjaftueshme kjo qeveri që të marrë situatën në dorë me përgjegjshmëri?! Kur do fillojë përgjegjshmëria që qytetarët votuan?!
Në vend që të kërkojmë atë çka do kërkohej në çdo situatë nga një qeverisje e përgjegjshme për të tilla fatkeqësi natyrore, zbatimin e ligjit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, do ishte më mirë që qeveria aktuale të marrë përgjegjësitë në fakt për këtë rrëmujë të jashtëzakonshme dhe të angazhohet për zgjedhje të parakohshme!
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb