Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel i kërkoi opozitës dhe autoriteteve gjeorgjiane të bëjnë gjithçka për qetësimin e situatës, ndërkohë që ky vend i Kaukazit është zhytur që prej disa muajsh në një krizë të thellë politike.

“Bashkimi Europian u bën thirrje të gjitha palëve të rrisin përpjekjet për të qetësuar situatën dhe të bashkohen për të gjetur një gjuhë të përbashkët”, deklaroi presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel gjatë një konferencë të përbashkët shtypi me presidenten gjeorgjiane, Salomé Zourabichvili.

Charles Michel, vizita e të cilit në Gjeorgji ishte parashikuar para përkeqësimit të krizës politike javën e kaluar, shtoi se Brukseli ishte i shqetësuar nga kriza që po përkeqësohet akoma më shumë në Gjeorgji.

Gjeorgjia është në krizë që prej zgjedhjeve legjislative të tetorit, të fituara nga partia në pushtet, por për të cilat opozita ka denoncuar mashtrimin.

Të martën e kaluar, arrestimi i një figure të opozitës, Nika Melia, ka shkaktuar një sërë manifestimesh kundër qeverisë.

Charles Michel kërkoi një dialog mes partive politike, me opozitën dhe qeverinë dhe nënvizoi se një sistem gjyqësor performues dhe i pavarur është thelbësor për thellimin e partneritetit mes Gjeorgjisë dhe Bashkimit Europian.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb