Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka mbledhur në një takim urgjent drejtorët e çdo burgu dhe IEVP-je të sistemit të burgjeve në vend. Në këtë takim me dyer të mbyllura, Ministrja Gjonaj ka marrë nën analizë të gjithë veprimtarinë e secilës IEVP dhe ka komunikuar drejtpërdrejt me titullarët duke kërkuar gatishmëri të shtuar dhe rritje maksimale të masave të sigurisë në burgje.

Ministrja e Drejtësisë i mblodhi drejtorët e burgjeve për t’i porositur qe edhe pse ndodhemi në fushatë elektorale, fokusi i garantimit të sigurisë është maksimal. Gjonaj është shprehur se detyra e vetme e drejtorëve të burgjeve është çështja e sigurisë në institucione.

Ministrja e Drejtësisë u treguar e prerë edhe mbi situatën e lejeve të veçanta duke theksuar faktin qe jane te pezullara tashme prej me shume se nje viti, dhe kjo duhet te respektohet edhe gjate kesaj periudhe deri ne nje urdher te dyte.

Përsa i përket masave që duhen marrë për sigurinë në institucione, ministrja e Drejtësisë theksoi se siguria në institucione duhet të jetë më e alertuar, në një shkallë më të lartë se sa ka qenë. Forcat policore do të duhet të jenë në një shkallë gatishmërie më të lartë për shkak të situatës elektorale.

Një nga porositë e tjera në takim ishte marrja e masave per ndalimin dhe kapjen e sendeve ndaluara ne institucion, sidomos celularët dhe lëndët narkotike apo sende të tjera që mundet të sjellin një rrezik për pjesën e sigurisë në institucione.

Ministrja e Drejtësisë ka deklaruar se Salla Operacionale e Monitorimit është tërësisht funksionale funksionon 24 orë çdo ditë të javës dhe do të jetë nën kujdesin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve për të evidentuar çdo shkelje që mund të ndodhë në çdo IEVP dhe përgjegjësia e shkeljeve do të jetë individuale për çdo drejtues IEVP-je.

Ministrja Gjonaj ka qenë e prerë edhe për çështjen e respektimit të protokolleve të sigurisë në IEVP-të, ku zbatohet regjimi i posaçëm 41Bis. Gjonaj deklaroi se sistemi 41 Bis është hapi më kurajoz dhe më i suksesshëm që është ndërmarrë në sistemin penitenciar dhe se nuk do të lejojë askënd që ‘të mbyllë njërin sy’ e ‘të mbyllë njërin vesh’, që të mos respektojmë rregullat që duhet të ketë 41 Bis. Monitorimi i rreptë për regjimin 41 Bis do të bëhet nga drejtori i Policisë së Burgjeve dhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.

Gjithashtu, Ministrja e Drejtësisë kërkoi kujdes të veçantë me raportet e vlerësimit të sjelljes të të dënuarve dhe të të paraburgosurve që japin stafet e burgjeve dhe që përtej faktit që është vendosur filtri që duhet të merret miratim në Drejtorinë e Përgjithshme, askush nuk mund të mendojë që do t’ia dalë të bëjë shkelje ligjore në këtë aspekt.

Më tej, ministrja analizoi pjesën e masave që duhen marrë për administrimin e procesit zgjedhor pasi pothuajse të gjitha IEVP-të, do të kenë qendra votimi. Nga ana e stafit tuaj, sidomos atij ligjor, do të duhet të merren masa që t’i jepet mundësia administratës zgjedhore që të bëjë mbarëvajtjen e procesit.

Gjithashtu, ajo risolli në vëmendje respektimin maksimal të protokolleve anticovid dhe se nuk do të tolerojë asnjë infektim në grup të të dënuarve pasi kjo do të thotë që masat anticovid nuk po respektohen. Ajo theksoi se në një vit pandemi, administrimi i situatës anticovid në burgje ka qenë një histori suksesi dhe se nuk do të lejojë askënd të njollosë këtë histori, sidomos tani kur kemi dritë në fund të tunelit të pandemisë.

Gjonaj deklaroi se janë vaksinuar deri tani 160 punonjës të personelit shëndetësor të burgjeve falë kërkesës së saj të drejtpërdrejtë. Njëlloj, do të përfshihen me prioritet në vaksinim punonjësit e Policisë së Burgjeve në të njejtën kohë me punonjësit e Policisë së Shtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb