Rezart Kthupi, sekretar për Reformën Zgjedhore në PD, në një deklaratë për mediat foli për vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila nuk njeh Lulzim Bashën si kryetar të Partisë Demokratike. Ai u shpreh se ishte një vendim i pritshëm.

“Vendimi sot, është një vendim i cili ne e prisnim. Është një vendim që vjen në vazhdën e vendimit të Gjykatës së Apelit. Gjykata e Apelit kishte përcaktuar disa rregulla në lidhje me mënyrën se si duhet bërë shqyrtimi gjyqësor i çështjeve. Do të kishim preferuar që çështja të shqyrtohej në themel që do të thotë që kundërshtarët tanë të cilët pretendojnë që të provojnë vërtetësinë e dokumentacionit që ne kemi depozituar në gjykatë, t’ia nënshtronin këtë dokumentacion shqyrtimit gjyqësor, preferuan ta pezullojnë gjykimin. Nuk kemi asnjë shqetësim në lidhje me pezullimin e gjykimit. Shkaku dhe për të cilën e pranuam kërkesën e paraqitur prej tyre. Organet statutore të Partisë Demokratike, duke filluar nga kryetari dhe çdo strukturë tjetër poshtë kryetarit, vazhdojnë të jenë në funksion, pavarësisht vendimit të gjykatës dhe partia vazhdon të funksionojë me të njëjtat ritme.”, u shpreh ai.

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur pezullimin për procesin në lidhje me regjistrimin e statutit të dy shtatorit të Lulzim Bashës në Partinë Demokratike, duke pranuar kërkesën e deputetëve të drejtuar nga Gazmend Bardhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb