GREQI-Zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Canakopulos tha se kryeministri Zoran Zaev ka fuqi politike dhe shumë opsione për t’i zbatuar ndryshimet kushtetuese, por pa zbuluar se çfarë opsionesh nënkuptonte. Canakopulos ka shtuar se Athina po ndjek me vëmendje të posaçme periudhën kohore të zbatimit të obligimeve nga ana e Shkupit, pas çka Marrëveshja e Prespës do të duhet të ratifikohet në Kuvendin e Athinës.

Deputeti i Syrizas, Kostas Duzinas ka theksuar se referendumi i mbajtur në IRJM nuk ka qenë i parashikuar me Marrëveshjen e Prespës, por ndryshimet kushtetuese me çka do të tejkalohen papërgjegjshmëritë e mbetura. Duzinas ndër tjerash akuzoi “Demokracinë e Re” opozitare se kundërshton marrëveshjen, për shkak se sipas tij nuk dëshiron zgjidhje të problemit të emrit dhe nuk i intereson interesi kombëtar. Ndërkohë Zv/Ministrja e Rendit Publik dhe Mbrojtjes së qytetarëve, Katerina Papakosta tha se do ta mbështesë marrëveshjen nëse kjo është në interes kombëtar. Papakosta e cila paraprakisht ishte anëtare e “Demokracisë së Re” mohoi se është bërë pjesë e Qeverisë vetëm që të votojë “pro” marrëveshjes.

Pas intervistës së djeshme të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se vendi do të bëhet pjesë e NATOs në fillim të vitit të ardhshëm ka reaguar Moska. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova raportohet të ketë thënë se qëllimi i dukshëm i Perëndimit është ta anëtarësojë Maqedoninë në NATO me çdo çmim. Zaharova mes tjerash është shprehur e befasuar nga OSBE-ODIHR e cila ka vlerësuar pozitivisht propagandën e madhe të Perëndimit gjatë referendumit, duke thënë se po ta kishte bërë Moska këtë gjë do të vlerësohej si përzierje në punët e brendshme të vendit. Ndërkohë Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavushogllu ka thënë se NATO dhe BE-ja do të duhet të vazhdojnë ta mbështesin vendin në rrugën e anëtarësimit, njofton Alsat M.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb