TIRANË- Për shkak të grevës së avokatëve nuk është zhvilluar asnjë seancë gjyqësore tek Gjykata e Krimeve të Rënda.

Po sot mësohet se ka qenë i parashikuar edhe gjyqi ndaj anëtarëve të organizatës “Hakmarrje për drejtësi”, por si pasojë e grevës është shtyrë.

Organizata “Hakmarrje për Drejtësi” u shpall publikisht në 13 tetor 1996, por në 1994 në qytetin e Durrësit. Qëllimi i krijimit të një organizate të tillë ishte destabiliteti i vendit. Dy themeluesit e saj janë vëllezërit Leart Shyti dhe Orik Shyti.

Seanca e parë gjyqësore në ngarkim të pjesëtarëve të organizatës “Hakmarrja për Drejtësi” filloi në 24 dhjetor 1998. Dhjetë të pandehurit u larguan jashtë shtetit që nga dita që ata u arratisën nga burgjet në vitin 1997. Akuzat e ngritura ndaj kësaj organizate lidhen me ngjarje të rënda si vendosja e bombës tek supermarketi i VEFA pranë 9­-katësheve, vrasja e ish-­drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi, vjedhje të bankave dhe arkave të shtetit, rrëmbim dhe disa vrasje e tentativa vrasjesh të tjera.

Hetimi ndaj “Hakmarrjes për drejtësi” i nisur në 1998, përfundoi 10 vite më vonë në vitin 2008, kur Prokuroria e Krimeve të Rënda arriti të kërkonte dënime për 10 anëtarët e kësaj organizate, të akuzuar për dhjetëra vrasje, grabitje, rrëmbime dhe akte terroriste, kryesisht në vitet 1992-1996.

Altin Arapi, burg përjetë
Orik Shyti, burg përjetë
Kreshnik Spahiu, 24 vite burg
Nikolin Novruzaj, 24 vite burg
Leart Shyti, 24 vite burg
Gëzim Gjoni, 5 vite burg
Pasho Novruzaj, 17 vite burg
Dritan Hate, 23 vite burg
Gentian Caka, 25 vite burg
Roland Shyti, 25 vite burg

Gjykata e Apelit në Tiranë dhe ajo e Lartë do të linin në fuqi këto masa dënimi, duke firmosur në këtë mënyrë fatin e kësaj organziate. Por, i akuzuari si kreu i organizatës, Orik Shyti, edhe pse në arrati, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, e cila në vitin 2011 do të konstatonte shkelje në gjykimin e kësaj organizate, duke urdhëruar rigjykimin e çështjes. Pas 20 vitesh, gjyqësori shqiptar rimerr në duar dosjen me akuzat për disa nga krimet më të rënda që kanë ndodhur në këtë vend çerekshekullin e fundit, por dhe ngarkesën politike prej së cilës ajo nuk zhvishet dot më. Sot pritej të zhvillohej seanca e tretë gjyqësore tek Krimet e Renda.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: