Skulptura prej guri e metali marrin forma njerëzore duke përcjellë, mendimin e mundimin. Njeriu mban herë peshën e botës e herë të tijën që peshon sa bota. Shprehja “guri i rëndë në vend të vet” bëhet titulli i një ekspozite të çelur në “Shtëpinë e Europës” në Tiranë në kuadër të Javës së Europës. Artisti libanez Samer Harb shpjegon veprat e tij.

“Jam frymëzuar nga bukuria e gurëve që kam gjetur. Për shumë kohë, i shihja këto statuja që mendonin për jetën pa ju dhënë kuptimin që kanë sot. Më pas njoha artistin shqiptar Ilir Kaso dhe ai më ndihmoi të kuptoja shprehjen shqiptare, “Guri i rëndë në vend të vet”. Në fakt ekspozita është për gurin që nuk është më në vendin e vet, sepse unë e kam zhvendosur. Është pak si udhëtimi i secilit prej nesh. Unë, kam lindur në Liban, kam jetuar në Belgjike dhe tani jam në Shqipëri. Nuk mund të ikim larg nga vendi ynë, edhe kur ikim, ai është diku me ne”, tha Harb.

A janë zhvendosjet e udhëtimet ato që na japin formë? Gurët që fluturojnë dhe gurët që qëndrojnë rrokin konceptet e ikjes e qëndrimit si dy gjendje që na plotësojnë. Harb jeton në Shqipëri prej tri vitesh dhe gurët janë mbledhur në zona të ndryshme të vendit, nga Komani, Gramshi e kanioni i Holtës. Format përcaktojnë veprën, qoftë kërkimin brenda vetes, qoftë jashtë saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: