Analisti Ermal Hasimja, i ftuar në emisionin “Prime News24”, komentoi paketën e masave të ndërmarra nga qeveria për protestat, duke u shprehur se ato rrezikojnë të përshkallëzojnë më tej situatën.
Sipas Hasimjas, nëse veprimet e dhunshme të policisë në fillim të protestave mund të jenë diktuar nga urdhra të momentit, tashmë qeveria po përpiqet t’u japë atyre një mbështetje ligjore. Ai vuri në dukje kontrastin mes shpërblimeve për efektivët e policisë dhe gjobave për protestuesit, duke përmendur edhe bonusin prej 2 500 eurosh për policët dhe premtimin për rritje pagash.
Hasimja theksoi se policia duhet të garantojë sigurinë e qytetarëve dhe të drejtën e tyre për të protestuar, ndërsa sipas tij, masat e qeverisë po krijojnë pengesa për ushtrimin e kësaj të drejte.
Ermal Hasimja në “Prime News24”:
Paketa që ka nxjerrë për protestat qeveria e bën irrituese situatën. Nëse hapat e dhunës në fillim ndaj protestuesve mund të kenë qenë urdhra të momentit, tani u bë një përpjekje për t’u veshur një petk ligjor këtyre veprimeve që janë të pamendueshme.
Tani që flasim, kemi shpërblime për policët dhe gjoba për protestuesit. Jo vetëm shpërblimi me 2 500 euro për policët, por sot u premtua edhe rritje rrogash.
Qeveria i ka dhënë vetes mjete për ta bërë të dënueshme protestën sot. Policia ka detyrë të mbrojë protestuesit në protestë dhe të garantojë të drejtën e tyre për të protestuar. Masat janë marrë që të parandalohet kjo e drejtë e njerëzve për të protestuar.
