Ndarja nga jeta e Milan Kunderës risjell në vëmendje letërsinë e tij që i prezantoi Perëndimit, Lindjen, përmes lenteve të një shkrimtari të madh. Botuesi i tij në shqip, flet për larminë e veprës së Kunderës.
Shkrimtari çek Milan Kundera, një prej emrave më të mëdhenj të letërsisë europiane u shua në moshën 94-vjeçare të mërkurën. Veprat e tij, që nisën të shkruheshin në Çekinë komuniste u kthyen në akuzë ndaj sistemit shtypës. Përplasja e tij e parë me autoritetet ishte romani “Shakaja”, më pas mbështetja për pranverën e Pragës që çoi drejt ndalimit të librave e emigrimit drejt Francës ku u bë i njohur. Por çfarë do të thotë vdekja e Kunderës për letërsinë, sipas botuesit i tij në shqip?
“Me thellësinë e krijimtarisë së tij dhe me mesazhet e rëndësishme që ka sjellë më krijimtarinë e tij, për lirinë, për dashurinë për njeriun, humanizimi i jashtëzakonshëm dhe mjeshtëria e jashtëzakonshme, edhe kur janë histori dashurie, nuk janë histori e lehtë. Edhe një histori dashurie te Kundera të bën të mendosh. Edhe kjo është e lidhur me lirinë, lirinë e individit, të gruas, të burrit. Ky herë është shkrimtari, herë filozofi”, thotë Petrit Ymeri.
Vepra e parë e Kunderës që “DITURIA” solli shqip, ishte “Shakaja” në fillimvitet 2000, një komedi e zezë që tregon mosarsyen e një dënimi, më pas u botuan “Identiteti”, “Mosdija”, “Ngadalësia”, “Valsi i lamtumirës” deri te një prej veprave më të pëlqyera të tij si “Lehtësia e padurueshme e qenies” dhe deri te e fundit, libri me ese “Një takim”.
“Ky libër me ese tregon thellësinë e tij si krijues, si personazh, si njeri. Ky shkruan e flet me lehtësi për çdo gjë, jo vetëm për letërsinë. Ai flet për muzikën, artin, pikturën. Është një figurë shumë komplekse, kjo e bënte atë interesante dhe letërsinë e tij të fuqishme. Në veprat e Kunderës, ka ironi të hollë dhe të këndshëm të marrëdhënies lindje-perëndim dhe moskuptimit. Te librat e Kunderës bie në sy dashuria për njeriun”, vëren botuesi i tij në shqip, Petrit Ymeri.
Kujtesa dhe rëndësia e saj, e shkuara, identiteti, shpirtrat e trazuar, kërkimi brenda vetës ndjehen në veprën e tij, ndërsa dy libra të tjerë të Kunderës pritet të vijnë në shqip këtë vit.