Në librin e tij “Në Vetërrethim” të botuar disa vite më parë, Dr. Jorgji KOTE, Mjeshtër i Madh, ka përshkruar disa aspekte sa interesante aq dhe intriguese në të kaluarën moniste. Duke qenë për dekada përkthyes i njohur zyrtar dhe shoqërues me shumë grupe turistike dhe delegacione të partive ( m – l) si dhe ekspert dhe drejtor në ish Ministrinë e Tregtisë së Jashtme ai ka treguar thjesht dhe me vërtetësi shumë fenomene dhe ngjarje jo shumë të njohura të asaj periudhe.
Në këtë rast interesi është i madh mbasi rrëfimet i takojnë një qytetari dhe zyrtari aktiv të përfshirë në ingranazhet e sistemit të kaluar dhe në ngjarjet madhore të asaj periudhe të vështirë. Këto janë pasqyruar dhe në librin në gjuhën angleze të po këtij autori “True Stories from Red Albani” (Ndodhi të vërteta nga Shqipëria e Kuqe) e cila është pritur me jehonë dhe në median dhe publikun e huaj në Austri, Belgjikë, Luksemburg dhe gjetkë.
Redaksia po boton disa prej ngjarjeve më të rëndësishme që lidhen me tregtinë e jashtme, turizmin, lëvizjen marksiste – leniniste, qëndrimet armiqësore ndaj fesë, revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës, vullnetarizmin e detyruar dhe parrullat kryesore të kohës në periudhën 1965 – 1990, të cilat autori i ka jetuar aktivisht qysh në periudhën e shkollës dhe më vonë në shërbimin e jashtëm deri në agimin e demokracisë më 1990.
Sot po vazhdojmë me kreun mbi heroizmin dhe vullnetarizmin e detyruar komunist.
Heroizmi – “Modë politike” kohës
Ndërkohë, terreni ku po kryhej ky revolucionarizim, duke përfshirë dhe atë të shkollës, ishte tejet “ pjellor “ me ngjarje heroike dhe frymëzuese për atë kohë. Këto ngjarje natyrisht edhe u orkestruan të tilla që të përfshinin të katër anët e vendit, duke i dhënë kështu karakter të gjerë popullor. Në Nëntor 1966 vdiq në përpjekje për të shpëtuar anijet e tjera nga dëmtimi në kalatën e Portit të Durrësit gjatë një stuhie të fuqishme, komunisti Adem Reka, i cili drejtonte Bigën lundruese 120 tonëshe, e cila më vonë mori emrin e tij. Ai u bë symbol i heroizmit dhe njeriut të ri, duke u vlerësur edhe me dekoratën më të lartë “ Hero i Punës Socialiste “ Në atë kohë, Durrësi dhe Porti i tij me Bigën lundruese u kthyen në vend të vërtetë peligrinazhi nga gjithë Shqipëria, sidomos rinia. Çdo javë, aty shkonin të organizuar dhe me këmbë qindra të rinj e të reja, për t’u njohur me veprën dhe heroizmin e Adem Rekës, për të cilin u thurën, si për çdo hero, vargje dhe këngë, u xhirua dhe filmi “ Horizonte të Hapura”.
Më 1967, malësorja 15 vjeçare Shkurte Pal Vata vdiq duke punuar si aksioniste në sektorin Dushk të Hekurudhës Rrogozhinë – Fier. Një shembull tjetër ky që ngrihet lart dhe vlerësohet, duke u bërë symbol sidomos i rinisë së fshatit dhe Malësisë së Veriut. Në vendin ku ajo ra, skulptori i njohur, miku im i rinisë, Muntaz Dhrami, aso kohe aktivist i shquar rinie, improvizoi në një kohë rekord përmendoren e saj, me idenë që çdo tren kur kalonte e përshëndeste me sirenën e tij. Sipas parrullës “Një bie, mijra ngrihen “disa brigada me të rinj e të reja nga Malsia e Veriut shkuan në aksion për të zëvendësuar Shkurtën, të udhëhequr nga babai i saj Pal Vata dhe familjarë të tjerë. Në atë kohë, nga Lekbibaj, në shenjë solidariteti me Shkurte Vatën shkoi dhe një brigadë me 108 vajza, me emrin “ Gjelosh Biba “ ku ishte edhe e çika e atyre anëve, Rukie Rama. Nuk kishte ditë që shtypî dhe radioja të mos jepnin lajme mbi këto ngjarje dhe mbi punën heroike të malësorëve nga Lekbibaj. Por, disa vite më vonë, kjo mësuese e apasionuar, vetëm e vetëm pse nuk pranoi të kënaqte epshin e një sigurimsi manjak kaloi pa kurfarë faji në një kalvar vuajtjesh dhe burgimesh, të cilat ajo i ka treguar në disa emisione dhe në media. Novela e bukur e shkruar nga pena e artë e Kadaresë “ Një natë me hënë “ mbështetet mbi këtë ngjarje të rradhë të malësores së sipërpërmendur. Rukija banon prej 20 vitesh në Bruksel. Ajo nuk e ndan matematikën nga duart, duke vazhduar të mësojë fëmijtë e shqiptarëve, që e deshën dhe nuk e braktisën Rukijen, edhe kur ajo dergjej në burg.
Në vijim të “ modës” së asaj kohe, në prag të Vitit të Ri 1968 dha jetën mes furtunës dhe stuhisë së borës, në përpjekje për të rivendosur lidhjen e këputur telefonike në Pukë, fillrojësi Pjetër Llesh Doda. Një shembulll tjetër për të cilin u thurën sërish kënge dhe u xhirua filmi “ Rrugë të Bardha “ i luajtur nga një prej protagonistëve të kinematografisë sonë të asaj kohe, Rikard Larja. Edhe arsimi pati përfaqësuesin e vet heroikë të asaj periudhe. Mësuesi Ismat Sali Bruçaj dha jetën duke çarë mes stuhisë për t’u dhënë mësim nxënësve të vet të dashur. Në festivalin e Këngës në Radio-Televizion të atij viti, dy çmimet e para iu dedikuan këngës “ Mësuesi Hero “ dhe Komisari i Kuq” që i kushtoheshin atij. Në Mirditë ra Frrok Kaçorri që i u shtua listës së heronjve të ditëve tona.
Por, në atë kohë dolën dhe u gjetën dhe heronj të gjallë për t’u bërë shembull për rininë revolucionare. Në Skrapar punonte e jetonte Fuat Cela, i cili nuk shihte nga sytë. Një shkrim që i dedikohej atij u kap si shembull dhe në takimin me të, Udhëheqësi i tha atij se « ti je trim mbi trima, se je trim pa sy » çka u propagandua mjaft në atë kohë. Gjithashtu, në atë periudhë e më vonë, ishte bërë tejet i njohur shëmbulli i “luanit të tuneleve” Sali Vata, ndërtuesit të kanaleve ujitëse në malësi, dibranit Gani Tuçepi e plot të tjerë. Në Gramsh doli shembulli i brigadierit të dalluar Alo Qosja, i cili krahas drejtimit të brigadës, kishte bërë dhe 300 ditë pune direkt në arë! Edhe ushtia pati heronjtë e saj të gjallë. Kështu, në vitin 1967, piloti Bilal Sina u bë i njohur për guximin e tij, duke e zbritur në tokë avionin me motor të fikur nga 6.000 metra lartësi. Bënte përshtypje se ky pilot model fliste përherë me modesti.
Në vitet 1967 – 1969, këto figura ishin vënë në qendër të vemendjes dhe ftoheshin gjerësisht për të folur para rinisë. Nisur nga karakeri i shkollës sonë, meqenëse ajo ishte në një vend me Shkollën e Mesme Pedagogjike, pasi ishim gati 600 vetë dhe në qendër të Tiranës, ne kemi patur rastin t’i dëgjojmë e të takohemi me Fuat Celën, Pal Vatën dhe familjet e të ndjerëve. Duhet thënë se tregohej kujdes që fëmijët e tyre të dërgoheshin në shkolla apo t’u siguroheshin pensione, natyrisht të merituara. Kështu, vajza e Adem Rekës, Tatjana erdhi në Shkollën e Gjuhëve të Huaja, madje u zgjodh dhe sekretare rinie; ishte vajzë e urtë, pa fjalë dhe modeste, edhe pse ne e shikonim me syrin e vajzës se heroit të punës socialiste. Por, le ta themi se ka patur edhe raste kur është tepëruar me propagandën dhe me daljet e shpeshta të ndonjë personazhi në publik ,çka i hapi rrugën barcoletave të shumta, shpesh fyese dhe denigruese. Kështu ndodhi me Palin, babain e Shkurte Vatës.
Ka mbetur si frazë lapidar, kur pasi e kishin pyetur për një ngjarje që kishte ndodhur diku, ai u qe përgjigjur se « mos ka dhënë urdhër Mehmeti, se unë dhe Enveri nuk dimë gjë« Më vonë kjo hyri në fjalorin tonë të përditshëm, madje përdoret dhe sot kur duam të themi se « ne nuk dimë gjë për këtë, por mos e ka bërë…. » Ndërsa një mësuese nga fshatrat e Përmetit, Athina Mile u pompua shumë nga shtypi i atëhershëm, si qytetare e Përmetit që kishte shkuar vullnetare në fshatrat e Mirditës. Në fakt thuhej gjerësisht se ajo kishte shkuar si plot të tjera vetëm për një muaj në Orosh, që dihet se ishte shumë më i përparuar se fshati i Athinasë. Atje, sipas shtypit ajo ishte dashuruar me një të ri nga fshati, kur në fakt i fejuari i saj vijonte Shkollën e Bashkuar për oficerë. Bazuar në një shkrim tek « Zëri i Popullit « udhëheqësi i bëri një letër e cila u bë lajmi i parë për ditë me radhë. Kam qenë i pranishëm në një takim publik me Athinanë dhe burrin e saj në Pallatin e Madh të Kulturës. Mirëpo reagimi nga opinioni publik nga Përmeti ishte negativ mbi këtë rast të sajuar jo dhe aq mirë; por si t’i thuhej « të madhit » që i kishte dërguar edhe letër? Për këtë arsye, mesa duket, u fol se me urdhër të Mehmet Shehut, burrit të Athinasë ia hoqën të drejtën e shkollës, me qëllim që të kthehej në fshat, siç ishte dhënë dhe lajmi. Ndërkohë, dilnin dita ditës shoferë, traktoristë, etj, të cilët thuhej se kishin realizuar planin e vitit 2000, madje dhe 2015.
Në këtë situatë, në atë kohë, të them të drejtën, por dhe sot, i vlerësonim këto vepra si akte heroike dhe patriotike. Në fund të fundit ishin akte guximi, trimërie, sakrifice për popullin, pse jo dhe Partinë; për më tepër se atëhere, por dhe më vonë, shumë besonin se ajo ishte vërtet e tyrja. Pasi takoheshe me ta dhe familjet tyre nuk mund të mos shprehje admirim dhe respekt. Përmendëm më lart Pal Vatën, por të mos harrojmë se ai ishte një malsor që nuk kishte shkuar ndonjëherë në jetën e vet më larg se Shkodra!
Ndërsa sot, sidomos kur sheh disa akte dhe veprime të papëlqyeshme dhe deri makabre që kryhen nga të rinj, por dhe të moshuar, pa kurfarë motivi bindës, aktet dhe vepra e njerëzve të lartpërmendur ndriçon edhe më shumë. Veç kësaj, tani që kemi 20 vjet në demokraci dhe kemi shetitur e dëgjuar sadopak nga bota, shohim se veprime të tilla me karakter të theksuar social, vlerësohen lart edhe nga të gjitha vendet dhe opinioni publik perendimor.
Vullnetarizëm i detyruar
Nëntori i vitit revolucionar 1967 do të sillte dhe një fatkeqësi të madhe natyrore, siç ishte tërmeti i fortë në rrethet e Dibrërs dhe Librazhdit. Me mijra shtëpi rrugë, qendra arsimore e sociale, etj u dëmtuan rëndë ose u shkatërruan tërësisht. Sfida ishte e madhe dhe tashmë e njohur. Me mijra vullnetarë « mësynë “Dibrën dhe Librazhdin, së bashku me gazetarë, shkrimtarë, etj dhe brenda muajit, gjithçka u ngrit nga fillimi; prej këtej lindi thënia « se « tërmeti tundi malet, por jo zemrat tona » Solidariteti i vërtetë njerëzor ishte në kulmin e vet. Nën këtë shembull, po në Dibër, një vit më vonë, u improvizua aksioni i parë me goditje të përqëndruara për ndërtimin e një kanali 17 km të gjatë brenda ditës, me pjesëmarrjen e mijra vullnetarëve nga çdo fshat i këtij rrethi.
Në atë aksion, mori pjesë dhe një çift i ri që atë ditë martohej. Dhëndri në fjalë, bashkëmoshatar i brezit tonë ka treguar tek “Histori me zhurmues” se ajo ishte një ngjarje e rastit. Drejtuesit e Partisë në rreth kishin vendosur të bënin një aksion, por kur mësuan se ai do të martohej pikërisht ditën e aksionit, ata u trembën se nuk do të kishte pjesëmarrje, pasi sipas traditës së atyre anëve, njerëzit do të shkonin në dasëm; atëhere u bë një marrëveshje që çifti i ri të vinte në aksion për disa orë dhe pastaj të vijonte me dasmën. Dhe kështu u bë, çka gjeti një pasqyrim të madh në median dhe opinionin pulik të asaj kohe; u propagandua shumë ky «aksion me goditje të përqëndruar», duke «aksionizuar « kështu edhe dasmën e çiftit fukara. Lindën kështu « dasmat socialiste « Aq u desh dhe filloi seria e « aksioneve me goditje të përqëndruara » kudo dhe pothuajse çdo javë, për vite të tëra, aq sa më vonë u bë bezdi e vërtetë. Imagjinoni të lodhur nga gjithë java me punë dhe mësim dhe të dielën (pasi atëhere punohej edhe të shtunave) të gjithë ne, të rinjtë, por dhe puntorë të moshuar dhe gra me fëmijë të vegjël duhet të ngriheshin që me natë e të shkonin në aksione. Pak rëndësi kishte nëse kishe qoka për të bërë, apo qoftë dhe dasma apo fejesa ! Shembulli ishte dhënë nga çifti i sipërpërmendur. Madje, në Festivalin Fokllorik Kombëtar të Gjirokastës në vitin 1973, Grupi i Lapardhasë të Beratit e ngriti dhe në « art » këtë dukuri me këngën fituese “Nuse e re” Kënga thoshte shprehimisht :
“Të shtunën në punë / të dielën u martove/ të hënën në punë/ prapë ti nuse shkove/ hajt moj nuse e re/sa e bukur je/ në kohë fushate/ s’ka nusëri për ne »! Qeshim sa herë e kujtojmë këtë këngë dhe shohim dasmat e sotme moderne.
Kështu, çiftet e reja, jo vetëm që nuk mbështeteshin me ndonjë kredi apo ndihmë nga shteti për të mobiluar shtëpinë, por tani ata detyroheshin të vinin « me » nismën e tyre « dhe në punë vullnetare.
Pa mohuar disa anë pozitive, do thënë se me këto aksione dhe punën vullnetare u tepërua aq shumë, sa jo vetëm nuk kishte kurfarë sensi dhe leverdishmërie ekonomike, por u krijuan dhe praktika absurde. Kështu, psh të dielave, ndërsa vullnetarët nga qyteti shkonin në fshat për të ndihmuar kooperativistët, këta të fundit vinin në qytet për të shitur ndonjë prodhim të vogël nga kopshtet e tyre dhe për të bërë pazarin! Por aksionet na shoqëronin kudo, edhe në këngë, shfaqje artistike, opera, teatër, balet, ekspozita të arteve figurative, etj; kudo do të shihje simbolin e kazmës dhe pushkës, njerëz që këndonin e kërcenin me to në duar. Këtu është rasti të tregoj nismën e kooperativistëve të disa rretheve të Jugut në fundin të viteve 60, të cilët i dhuruan Shkodrës dhe disa rretheve të veriut 6.000 kokë dele dhe dhi. Kjo nismë natyrisht që do të shoqërohej me propagandën e asaj kohe, përfshirë dhe këngën, sidomos atë popullore.
Nuk e mbaj mend me saktësi se cili grup folklorik nga Gjirokastra improvizoi këngën e rastit titulluar « 6.000 dhën e dhi » Kjo këngë transmetohej « me kërkesë të dëgjuesve » disa herë në ditë; mirëpo refreni i saj i zgjatur që përsëriste vazhdimisht të stërzgjatur frazën« 6.000 dhën dhi » duket se u bë disi i bezdisshëm e pse jo dhe fyes për banorët e veriut; në fund të fundit, çdo gjë ka një kufi; Në atë kohë, problemin e zgjidhi humori i njohur politik shkodran. U përhap gjerësisht lutja e një shkodrani që thoshte : « amani, po jua kthejmë sërish ato 6.000 dhën e dhi, vetëm atë këngë mos na e jepni më në radio, ju lutna shumë !» Kështu, kjo këngë filloi të jepej shumë radhë, derisa u hoq fare.
Por, dëmi më i madh në këtë mes iu bë konceptit dhe praktikës së « vullnetarizmit » dhe më konkretisht të aksioneve vullnetare. Në fakt, vetëm fjala ishte vullnetare; gjithçka tjetër ishte e detyrueshme. Kjo pasi aksioni, vendi, data dhe pjesëmarrja vendoseshin nga lart, me urdhër dhe pastaj merrnin formën e « aksione vullnetare ». Mirëpo, fakt është se në shumë e shumë raste, populli dhe rinia e kishte treguar se ishte e gatshme të punonte edhe vullnetarisht e pa shpërblim, në shenjë solidariteti njerëzor. Madje, si atëhere dhe tani vazhdoj të mendoj se të mos ishte futur detyrimi nga lart, vullnetarizmi edhe gjatë asaj kohe do të kishte qenë më domethënës, më efektiv dhe mbi të gjitha i vërtetë. Mirëpo fatkeqësisht, edhe vullnetarizmi në atë kohë u « pronësua dhe ideologjizua» pa mëshirë! Ndaj, sot vullnetarizmi i vërtetë i ka të gjitha kushtet për t’u zhvilluar, siç po kërkohet me të drejtë.
(BalkanWeb)