HIMARË- Një efektiv ka mbetur i plagosur, pasi gomonia e Policisë Kufitare me të cilën ai po kryente shërbimin është përfshirë nga flakët.

Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 19:35 në Himarë. Burime zyrtare bënë me dije se punonjësi i policisë, Besnik I., fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa po merr ndihmën e nevojshme mjekësore në spitalin e Vlorës.

Sipas gazetarit të ‘News24’ Enrik Mehmeti, në portin e Himarës u përfol se mund të kishte rrezik edhe për mjetet e tjera nga zjarri, por gjendja iu kthye normalitetit pas shuarjes së tij. Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike në motor. Ndërkohë, policia po vijon hetimet.

NJOFTIMI I POLICISE
Rreth orës 19:35, ka rënë zjarr në një nga gomonet e Portit të Policisë Kufitare në Himarë (i fikur, i parkuar në port) ku është dëmtuar pjesërisht gomonia gjithashtu edhe drejtuesi i këtij mjeti, shtetasi me inicialet B.I., 46 vjeç, banues në Himarë (Punonjës i Policisë Kufitare Himarë), i cili është dërguar në spitalin Rajonal të Vlorës, jashtë rrezikut për jetën.

Paraprakisht bëjmë me dije se zjarri është shkaktuar për pasojë të një shkëndije elektrike në momentin kur drejtuesi i gomones ka qenë duke kryer shërbimet përkatëse të nxjerrjes së ujit, nëpërmjet ndezjes së pompës. Policia po kryen veprimet e mëtejshme proceduriale.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb