GJIROKASTER- Pak minuta më parë Saimir Ahmeti 24-vjeç zgjodhi të arratiset nga tualeti i gjykatës së Apelit në Gjirokastër, pak para se të hynte në gjyq, ndërkohë që “BalkanWeb” mëson detaje të tjera për akuzat e ngritura ndaj tij.

I riu Saimir Ahmeti banor i fshatit Vanë në bashkinë e Delvinës u arrestua nga policia e Delvinës për përndjekjen e vazhdueshme dhe kërcënimin e bashkëjetueses së tij, shtetases Bleona Habibi, 18 vjeç, edhe kjo banore e fshatit Vanë. Mësohet se familja e vajzës nuk ka qënë dakord me lidhjen, ndonëse kjo e fundit prej 8 muajsh jetonte në shtëpinë e Saimirit.

Familjarët e djalit thonë se nuk dinë që i biri ta ketë dhunuar e kërcënuar ndonjëherë dhe se pretendimet e ngritura nga familja e vajzës janë të padrejta. Por, ndërsa gjykata priste të ballafaqonte palët, i riu ka zgjedhur të arratiset.

“BalkanWeb” mëson se edhe më herët familjarët e të rinjve kanë replikuar jashtë sallës së gjyqit. Madje Zhaneta, nëna e vajzës i ka kërkuar Pranverës, nënës së djalit, se do të tërhiqeshin nga akuzat për djalin vetëm nëse ai do ta linte vajzën e tyre të qetë.

Për Thoma dhe Pranvera Ahmeti, babai dhe nëna e 24- vjeçarit, Saimir Ahmeti, Bleona e do djalin e tyre. Dy të rinjtë janë martuar me dashuri madje familja Ahmeti ka bërë edhe dasëm për djalin e tyre të vetëm.
gjirokaster-arratiset-nga-gjykata-1
ARRATISJA NGA GJYKATA
Rreth orës 11:50 i ndaluari Saimir Ahmeti, 24 vjeç, banues në fshatin Vanë, Delvinë, ka mundur të largohet nga ambientet e Gjykatës së Apelit Gjirokastër, ku ishte i shoqëruar nga shërbimet e Policisë së Burgut Sarandë.
Shërbimet e Policisë së Burgjeve nuk kishin kërkuar masa mbështetëse nga Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër për siguri shtesë, gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore.

Shërbimet e Policisë së Shtetit në Gjirokastër sa morën njoftim janë angazhuar maksimalisht për kapjen e shtetasit të Ahmeti.

VENDIMI I GJYKATËS SË SARANDËS PËR TË RIUN
Vleftësimin si të ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim Saimir Thoma Ahmeti, i kryer në datë 24.01.2018, ora 19:00, mbi bazën e urdhër ndalimit datë 24.01.2018, të Prokurorit Ilir Hoxha, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “përndjekja” e ish-bashkëjetuesit apo personit që ka pasur lidhje shpirtërore me të dëmtuarin, parashikuar nga paragrafi i dytë i nenit 121/a të Kodit Penal.
Të caktojë ndaj personit nën hetim Saimir Thoma Ahmeti, masën e sigurimit personal (shtrënguese) “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Urdhërohet policia gjyqësore të zbatojë këtë vendim.
Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit Gjirokastër, brenda 5 (pesë) ditëve, nga e nesërmja e shpalljes së vendimit.
U shpall në Sarandë, më datë 26.01.2018, ora 14:24.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb