Nga Mark Ndoja

Memorie.al Libri epistolar nga shkrimtari Mark Ndoja, përmban letra nga kampi i dënimit politik i ishullit të Zvernecit 1965-1968 dhe burgjet Tiranë, Zadrimë, Burrel, 1956-1960. Janë 102 letra dërguar bashkëshortes, Milena, shpesh në formë epitalmesh korale, gjithashtu letrat ndaj familjarëve nga Zvërneci dhe 27 letra nga burgjet e Burrelit, Zadrimës, Shkodrës, etj. Libri ka një parathënie të mjekut të kampit të Zvërnecit Dr. Safet Kelliçi, që e kishte vizituar Markun 15 herë në Ishullin e Zvernecit gjatë vitit 1966, i cili i zhvillonte biseda letrare në formë leksionesh ilegale në ishull. Korrespondenca burrë grua e shkrimtarit në kushtet e burgut, është unike, pavarësisht se e monitoruar nga Sigurimi i Shtetit, duke krijuar kohën e ngjarjet nga vete protagonistët, si kronotopi elegjiake me pësimet prometeane që evokojnë malet e Skithise së Eskilit.

Dr. Safet Këlliçi

Mbi njohjen me Z. Mark Ndoja në Zvërnec gjatë vitit 1966

Me mbarimin e Fakultetit të Mjekësisë në vitin 1965 më caktuan si mjek ushtarak në fillim në Tropojë dhe pas kundërshtimeve të shumta, pas rreth 6 muajve pa punë, më dërguan si mjek ushtarak pa uniformë në Vlorë. Duke mos pasë asnjë lidhje me qenien time si ushtarak u angazhova për diagnostikim dhe mjekim të ushtarakëve të M.P. Brendshme (Dega Vlorë) për të burgosurit dhe ushtarakët e postave të kufirit që nga Fieri deri në Sarandë.

Pata marrë porosi të veçantë për t’u interesuar sidomos për 5 personat e internuar në ishullin e Zvernecit e konkretisht Gjin Marku, Mark Ndoja, Xhavit Qesja, Maqo Çomo dhe Kristo Budo, i cili ishte më i riu. Ky ishte angazhuar me problemet shëndetësore dhe higjeno- sanitare të mjedisit ku rrinin.

E kam shprehur shpesh që konsiderata maksimale ka qenë për Mark Ndojën, si më seriozi, fjalë pak dhe që unë kisha kënaqësi kur bisedoja me të si njeri shumë i kulturuar, me memorie brilante dhe që sa herë shkoja atje (rreth 15 herë gjatë gjithë vitit) e gjeja duke lexuar në një sallë të vogël rreth 16 m2 afër dhomës së fjetjes dhe disa herë në shoqërinë e Gjin Markut.

Meqenëse isha i detyruar të shkoja dhe të interesohesha për gjendjen shëndetësore dhe kushtet higjeno- sanitare të tyre, unë përfitoja nga rasti dhe shpesh herë duke u ndodhur në dhomë me të ndjerin Mark Ndoja kërkoja me insistim që nga konsideratat e tij për librin në përgjithësi si shkrimtar dhe për autorët italianë të Rilindjes për Danten, Petrarkën, Arioston, Tasson. Desha të mësoja mbi këta autorë pasi edhe unë kisha në shtëpi një libër me përkthime të poezisë italiane dhe isha i apasionuar mbas letërsisë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Marku vlerësonte sidomos Dante Alighierin që e kishte shumë për zemër, më vonë nga i biri Leka mora vesh që që e ka sjellë në shqip Komedinë Hyjnore, kryeveprën e autorit fiorentin.

Marku ishte shumë i edukuar, të imponoheshe me sjelljen e veshjen e tij, dhe për të vjelë sa më shumë nga ai ngaqë ishte shumë i heshtur, më duhej të ndërhyja shpesh. Kur më shoqëronin komandantët e kampit të MPB (që i ndërronin vazhdimisht) nga posta në bregdet për në ishullin e Zvernecit, rezervohesha dhe bëja vetëm punën dhe angazhimin tim si mjek me vizitat përkatëse.

Gjatë vitit 1966, Kryetar i Degës së Brendshme të Vlorës ishte Andrea Mici, i afërm i Hysni Kapos. Duhet thënë se Marku gjatë gjithë vitit 1966 nuk u ankua për asgjë shëndetësore.

LETRA NGA ISHULLI I ZVERNECIT
VITI 1965

6-I-1965

E dashuna Milenë,

Jam shëndosh e mirë. Atë ditë që më nisën arrita në Ishullin e Svernecit, ku më kanë internue për 5 vjet me vendim të Komisionit t’Internim-dëbimit pranë Ministrisë së P. Brendshmesh.

Ti mos u mërzit, kij kujdes shumë për shëndetin tand dhe për edukimin sa më të gëzueshëm të fëmijvet, frut i dashurisë sonë fatkeqe. Fatkeqësinë që na ra duhet të dimë me e durue e me kapërcye sa më të qetë.

Lulin ma puth për mue dhe jepi lamtumirën që s’munda t’ia jap. Marintës thueji të bahet gocë e fortë e patrembur, dhe të rrisë Lekën me kujdes e dashuni nane të vogël. Ti e Luli, Marinta e Leka, jeni i vetmi gas i jetës sime të sotme e të nesërme. Ma gëzoni Lekën dhe thonij nga unë: ti Lekë, je çun më i miri! I mjeri i vogël, nuk duhet të trishtohet me asnjë mënyrë!

Na këtu jemi mirë me trajtim të përgjithshëm.

Si me ushqim, etj. familja ka të drejtë të vijë me na pamë 1 herë në 2 muaj, prej datës 25 deri më 30 të muajit, mbasi të ketë marrë leje prej Drejtorisë së P. Brendshme të Tiranës. Më shkrueni letra ti e Luli dhe Marinta, tue më tregue për çdo gjë se si vete familja.

Të lutem më dërgo një pako letra, zarfa e pulla, për korrespondencën, më dërgo edhe nja 4 a 5 fletore me një vijë; mundësisht një pako brisqe rroje “Record” suedeze, brushën e dhëmbëve dhe një bar dhëmbësh.

Bani të fala Llazarit e familjes, Vangjos dhe prindërve të tu. Llazari po pat mundësi të më falë ato letrat e lojës dhe të m’i dërgojë.

Mos u mërzit, Milenë. Atij mikut që më ka marrë historinë e letërsisë italiane dhe një libër të Cordigniano-s, thueji t’i kthejë menjëherë dhe të mos e shkelë kurrë derën e shtëpisë sime, as mos të flasë më kurrë as me ty as me fëmijët e mi.

Nejse u zgjata kot me këtë punë boshe!

Më shkruej sa më parë e sa më shpesh, jo vetëm ti po edhe Luli e Marinta.

Të fala e përqafime. Lekën ma puthni 100 herë. Për atë po mërzitem fort fort.

I jueji përjetë

Marku.

Adresa asht: Mark Ndoja

Pranë Degës P. Mbrendshme

Vlorë

P.S. Milenë, më dërgo në pako edhe nga një kashé aspirine, fenaskon e alginë.

Osman Shashiqit, shkrueji në Shkodër që të m’i dërgojë librat sa më parë, sidomos “Saggi critici” të De Sanctis-it.

Marku.

6-II-1965

Shumë e dashura Milenë,

Më 4 shkurt mora letrën tënde, shumë të pritun që më gëzoi shumë. Telegramin me adresë të pasigurt, nuk e kam marrë. Pikëllimi i Lekës për largimin tim më trishtoi shumë. Unë e parashikoja këtë gjë; prandaj ju porosis të gjithëve së bashku, që të bëni një punë të gjatë e të madhe pedagogjike me mendjen e tij të njomë, që kjo fatkeqësi të mos i shkaktojë ndonjë trishtim psikologjik, që mund t’i lejë pasoja të përjetshme.

Ajo që më gëzon më tepër asht që jeni mirë.

Në dy letrat që të kam nisë tashti, të kam kërkue plot sende, që buxheti i familjes s’i duron dot. E di fort mirë këtë, po si t’ia bëj pra? Po tashti, o Milenë, detyrohem me të lypë prapë sende të tjera, që kushtojnë lekë. Më vjen vdekje, o Milenë, kur kërkoj të hiqni kafshitën e gojës, ti e fëmijët, për të plotsue kërkesat e mija të këtushme. Dy palët e brekëve m’u kanë grisë e ça nga fundi dhe s’po kam as pê, as gjylpanë, as arna për t’i meremetue disi. Ban si të mundesh pra dhe më dërgo të paktën pê e gjylpanë e arnë për tash një herë. Po më dërgove ndonjë palë brekë të reja, kij kujdes të jenë mjaft të gjana në shalët, se përndryshe pëlcasin shpejt.

Ti më thue se do të vish nga fundi i marsit. Pikë së parit kij kujdes për rregullimin e dokumenteve, që bahet në Drejtori të P. Mbrendshme, ku duhet të paraqesësh kërkesë me kohë dhe pastaj, të jepet leja, që nga 25-30 e muajit përkatës. Në kërkesë të jetë çdo gjë e qartë, bashkë me emrat e personave që kërkojnë takim. Pastaj kjo leje do të paraqitet në Degën e Vlorës, me t’arritun aty. Që nga Vlora e në Zvernec, janë 12-13 km, pra duhen bë nja 3 orë në këmbë, kështu që po të jesh në Vlorë afër mbarimit të ditës, duhet të qëndrosh aty e të flesh në Hotel.

Unë dëshiroj të vish me Lulin. Mund të flini një natë këtu me mue. Kjo asht gjithë sqarimi, që mund të bëj unë për takimin. Më shkruaj prapë në qoftë se të mbetet ndonjë gjë e errët. Më shkruaj sa më parë e sa më gjatë. Kur të vish mos harro të më sjellësh historinë e Skenderbeut (të dyja botimet) të Fan Nolit, e po munde edhe atë të Barletit, që kushton 120 lekë.

Të kesh kujdes për shëndetin tënd e për gëzimin e fëmijvet që tash ty të kanë babë e nanë. Për mue mos u ban merak se jam shëndosh e mirë, bile më mirë se isha në Tiranë. Të pres me dëshirë të madhe e me mall të zjarrtë, megjithëse e dij se do të vish e këputun, nga ajo djallë pune që të zë makina.

Të përshëndes, të përqafoj e të puth sytë nga larg, i yti përjetë

Marku.

Shumë i dashun Luli.

Të kam shkrue letër më 20 janar. Në letrat e përparme jau kam tregue gjendjen time. Babi me shëndet asht fare mirë. Mërzitet për juve vetëm, por ti shkrueji babit sa më shpesh të mund të mësoj gjithnji se si asht familja.

Ti Luli dje, më 5, kishje ditëlindjen. Po të nis nji telegram. Urime, përqafime e puthje. Banu djalë i mirë, nxanës i zellshëm e babë i vogël i familjes, për të zevendësue mue, derisa të jem në mungesë. Marintën e Lekën dueji fort si vëlla i madh që je, dhe mproji nga çdo rrezik e nga çdo e keqe, që mund t’u kanoset. Mamën dueje fort, ndigjoje e nderoje, se asht nanë e mirë, e sakrifikueme pas familjes; ti ke detyrë t’ia bajsh jetën sa më të gëzueshme, sepse ajo lodhet e për më tepër mërzitet, e mjera që s’pa thuejse kurrë nji ditë të mirë. Luli! Ti u bane 13 vjeç. U bafsh 100 e me të mira e me gëzime, t’uron, të përqafon e të puth

Babi.

Shumë e dashun Marinta,

Po ti si po je? Me mësimet si vete? Leka a të mërzit fort? Dueje fort Lekën, puthe e gëzoje, si nanë e vogël e tija që je, sepse kështu do të fitosh danshuninë time më të madhen. Marinta! Bindju mamit, dueje fort e mos e mërzit, me huqet e tua të harraqes. Marinta. Mos u mërzit për babin, se babi asht shëndosh e mirë e nuk ka shkue në fund të botës, siç paske thanë ti nga deshprimi.

Jo, o Marinta, shiko Nartën në hartë; gjej kënetën e Nartës. Atje jam unë, se ma larg s’ka tokë shqiptare. Banu gocë e mirë, e zellshme e trimneshë. Puthe Lekën për mue 100 herë. Të fala, përqafime e puthje.

I yti përherë Babi

Shumë i dashuni Lekë! Ti je çun më i miri! Ti je çun më i vogli! Babi të ka xhan kaqë! Ti e ke babin xhan kaqë! Duaje e puthe Dadën, Lulin e Mamin! T’i kesh xhan kaqë! Babi yt asht larg e mërzitet fort për ty, por në mbramje kur bjen me fjetë hap krahët e ban sikur të ka ngrykë ty, o shpirt i vogël! Dhe ashtu babi çmallet me ty, flen rehat e menjiherë, tue pamë andrra të bukura.

Të puth syt, faqet e gushën

Babi yt Marku.

17-II-65

Shumë i dashun Luli.

Letrën e dashun tanden e mora. Të falemnderit. Pse më shkrove kaq shkurt? Unë desha të më shkrueje më gjatë, për sjelljet e tua, për notat që ke marrë, për bindjen e mjaftueshme a të pamjaftueshme ndaj mamit. Këto i due, o Luli, nga vetë goja jote. Banu çun i mirë ndaj nanës sate, që roptohet në punë për ty! Banu vëlla i mirë e fort i dashun, ndaj Marintës e Lekës, sepse janë më të vegjël, e presin prej teje shembull të mirë e edukatë.

Unë kam besim se ti do ta bash këtë punë, aq më tepër tashti që babi mungon. Asht e vërtetë se unë kam qenë i ashpër ndaj teje, por besoje se këtë e kam bë, për të mirën tande, o bir i dashun. Ti duhet të përpiqesh sidomos të jesh i sinqertë, sepse sinqeriteti asht virtyti njerzor më i çmueshmi, më i ndritshmi. S’ka gajle se sinqeriteti nganjiherë na sjell andrralla, kokëçarje e damtime! Pa sinqeritet njeriu s’ka se pse të rrojë në shoqninë njerzore! Hileja u takon dhelpnave e gjarpijvet!

Unë kam shumë besim, se do të bahesh djalë i mirë, i zoti e i sinqertë. Të du shumë e të puth nga larg, babi yt i paharrueshëm

Marku.

Shumë e dashun Marinta!

Babi të dërgon shumë të fala e të puthuna! Të jesh gocë e bindun e mamit, e mos të përkëdhelesh! Dueje Lulin dhe ndigjoje se ai asht vëllai yt i madh. Dueje e rueje fort Lekën, se ai asht vëllai yt i vogël! Unë jam i sigurtë se ti do të jesh si përpara nji dadë e mirë për Lekushin e vockël! Ai të do ty, si nji mama të vogël. Unë mërzitem shumë për Lekën, o Marinta!

Ti që e ke pranë për çdo ditë, dueje e puthe shpesh herë edhe për babin e shkretë që gjindet larg, fort larg. Ndigjoje mamin, mamagjyshen e babgjyshin. Mëso mirë e siellu mirë në shkollë me zojushet e me shoqet. Lorenën a vazhdon ta kesh shoqe? Babin e ka marrë malli shumë për ty, por ndoshta atje nga vera do të shihemi. Qofsh mirë me shëndet e me punë! T’uroj jetë të gëzueshme e të puth faqet e syt

Babi yt i paharrueshëm

Marku.

Tepër i dashuni çun më i vogli i babit Lekë!

Babi të do kaqë! Hapi krahët të të marr ngrykë e të të puth sytë! Edhe ca ditë do të kesh ditëlindjen. I thuej mamit e mamagjyshes e babgjyshit, lali Lulit e Dada Marintës, teta Melës, që të të bajnë nji festë gazmore dhe ti atë ditë, të rrish në karriken e babit. Ti Lekë, je çun më i vogli, ti je çun më i miri, por ende s’di me më shkrue letër. Thueji dadës, të më shkrueni bashkë. Puthi të gjithë për babin. Të puth syt e faqet e gushën, babi yt i paharrueshëm, që të kujton ditë e natë.

Mark Ndoja

P.S. E dashun Milenë,

Sot e mora atë telegramin që më kishje nisë me adresë të pasigurtë. Nuk po e përdor përgjigjen tashti, mbasi po të nis letër. Të fala Vangjos me familje dhe Llazit me familje.

Marku.

3-III-1965

Shum e dashuna Milenë,

Letrën tande e të Marintës të 14-II- i mora. U gëzova shumë që jeni mirë. Po Luli pse nuk më shkroi, të paktën dy fjalë? Ti ankohesh se po të shkruej rrallë. Po ne kemi të drejtë vetëm për 2 letra në muej, kurse ju keni të drejtë të na shkrueni, sa herë të doni. Unë deri tashti të kam nisë 4 letra dhe kjo asht e pesta. Ti mos u mërzit, në se i vonon posta ndonjiherë. Shkruen se i hodhe dokumentet, për t’u bë gati me ardhë. Kur? Në fund të marsit vallë, përpiqu të jesh e mprojtun nga të vjellat me ndonji ilaç, në qoftë se gjendet në farmacitë.

Për makinë, kij kujdes të presësh biletë me Satën e Vlorës, në pastëm ose më të Gjinokastrës, që udhëton për çdo ditë. Mos të vish me tren, se të dalin vonesa në Rrogozhinë. Më vjen keq se do të dërmohesh nga udhëtimi, por nga ana tjetër gëzohem të të shof sa më parë. Kur të vish, mirë do t’ishte të jetë e shtunë, se ashtu mund të gjesh në pazar ndonji fshatar të këtyne anave të Zvernecit, me të cilin t’udhëtosh, ose të të tregojë udhën. Do ta kesh ca të vështirë më këmbë, në këto 11-12km. nga Vlora e gjer këtu. Duhet të kini me vehte darkën për këtu, kur do të vini.

Po pate plaçka me vehte, do ta kini vështirë me i pru ngarkesat. Mos harro të paraqesish lejen e takimit në Degën e Mbrendëshme të Vlorës. Po munde më siell disa penicilina kokërr. Sikur të më sjellësh pak kafe të blueme, do të më bahet qefi. Ti e di se e kam qef. Por ti ki kujdes e mos e vorfno buxhetin tand, tepër të hollë, se pastaj do të ruajmë fëmijtë e ti vetë, që rroni me nji rrogë modeste. Unë këtu i kam të gjitha ushqimet e nevojshme: në mëngjes bukë me marmellatë e çaj, drekë fasule dhe makarona, darkë supë e oriz, të shumtën e herës me mish. Bukë kemi të mjaftueshme. Pra mos u shpupurish të bash shpenzime të kota e të ngarkohesh, me gjana ushqimore.

As për cigare mos u harxho. Këtu na japin 5 cigare në ditë. Me lekët që më ke dërgue blej duhan kaush dhe plotësoj cigaret që pij mjaft. Më ka marrë malli shumë për ty e për kalamajt, sidomos për Lekën, që e kujtoj dhjetra herë në ditët. Kam gjithnji merak se mos sëmureni, se mos u ndodh ndonji e keqe. Prandaj i pres letrat me padurim. Duhet të më shkruejnë edhe Luli e Marinta rregullisht, letër me dorë të tyne; kjo asht lidhja konkrete, që mund të kenë sot me babanë, dhe këtë ti duhet t’ua kërkosh si detyrë. Kij kujdes t’u kërkosh rregull e zbatim detyrash të ngarkueme, se në këtë pikë edukata e fëmijve tanë mungon.

Ti do t’ua kërkosh këtë metodikisht, pa lëshime, pa haresa, jo t’i lesh të shkojnë në mënyrë spontane, se ashtu ata do të bahen të ç’thurun në punët e tyne, disiplina nuk do t’u bahet shprehi. Venu detyra të qarta, të rregullta e të zbatueshme. Mos kërko prej tyne tepër gjana, mbi fuqinë e tyne, por as pak, nën fuqinë e tyne mendore e fizike. Lulin porosite nga ana ime, të bahet vëlla i mirë me Marintën, të mos e ngasë asnjiherë atë motër të vetme që ka. Marintën detyroje të bahet më e zellshme e më e vëmendshme. Tash ajo po rritet, por ti mos e mbyt me punë shtëpije.

Tue pritë me të pamë sa më shpejt, e përfundoj letrën tue t’urue shëndet e gas në jetën tande të mundëshme. Të përqafon e të puth nga larg i përhershmi i yti

Marku.

Shumë i dashun Lekë!

Marinta, dada e jote e mirë, shkruen e më thotë, se ti nuk më thue “mirëmëngjes” kur ngrihe nga gjumi i natës. Po pse o Lekë, a nuk je ti çun më i miri i babit? A nuk e ke më babin xhan kaqë? Babi nuk iku e të la vetëm, po të la me lalin e me dadën e me mamin. Ti banu çun i mirë. Dueji edhe babëgjyshin e mamgjyshen, se të kanë xhan kaqë.

Unë jam mërzitë shumë për ty. Por kur të mundet mami, atëherë kur të jetë koha e mirë dhe të dalin lulet, do të vish të më shohësh. Më 5 të këtij muaji, ti ke ditëlindjen, o Lekë. Të puth babi syt e t’uron të bahesh 100 vjeç, me shëndet të lulzuem e me gëzime në jetë. Po të nis edhe nji telegram, o Lekë vogëlushi, çun më i miri.

Të përqafon, t’uron e të puth, babi yt i paharrueshëm

Marku.

P.S. Milenë: mos harro të më sjellësh ca pulla poste dhe ca bikarbonat sode. Memorie.al

Marku.

Vijon numrin e ardhshëm

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb