Aktivisti Ilir Xhemalaj ka mbajtur një fjalim gjatë protestës, ku ka deklaruar se tubimi përfaqëson, sipas tij, “shpirtin e pamposhtur të shqiptarëve” dhe një revoltë që po shndërrohet në shpresë.
Sipas tij, pjesëmarrja në shesh tregon se qytetarët nuk mund të heshten.
“Ky shesh sot nuk mban thjesht njerëz, por shpirtin e pamposhtur të shqiptarëve. Kjo është revolta që po kthehet në shpresë. Donin të na heshtnin, por ne zgjodhëm të flasim. Ky është vendi ynë dhe nuk ia falim askujt”, u shpreh ai.
Xhemalaj pretendoi gjithashtu se kauza e protestës ka marrë mbështetje edhe nga figura politike amerikane, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm për lëvizjen.
“E vërteta e këtij sheshi nuk fshihet më as me propagandë e as me censurë. Kongresmeni amerikan Joe Wilson sot mbështeti revolucionin tonë dhe nxori të vërtetat. Falënderoj miqtë tanë në Senat që mbrojnë të vërtetën dhe sovranitetin e shqiptarëve”, tha ai.
Ai shtoi se, sipas tij, lufta kundër korrupsionit ka kaluar kufijtë dhe nuk mund të ndalet më, ndërsa e përmbylli fjalimin me mesazhe patriotike dhe thirrje për aleancë me SHBA.
“Historia po shkruhet sot në këtë shesh dhe ne jemi në anën e fitimtarëve. Për Shqipërinë tonë, flamurin tonë dhe aleancën e përjetshme me SHBA”, deklaroi Xhemalaj.
