TIRANË- Ajo është 56 vjeçe por duket si 70, e këtë pamje ia kanë shkaktuar vuajtjes por sidomos humbja e vajzës 28-vjeçare me një sëmundje të keqe.

Drita Cano, 56 vjeç i është drejtuar emisionit me “Me zemër të Hapur” në News24 pasi prej 6 muajsh nuk sheh nipin dhe mbesën e saj. Drita së bashku me bashkëshortin e vuajnë shumë këtë situatë pasi vajza e tyre prej një viti e gjysmë është larguar nga kjo jetë.

Ermelinda që u dashurua me bashkëshortin e saj kur ishte 15 vjeçe dhe u martua menjëherë, ndërroi jetë në moshën 28-vjeçare pasi vuante nga kanceri. Por kjo nënë që luftoi shumë me këtë sëmundje u përball edhe me divorcin.

Në shkurt të 2017, ndërsa bënte kimioterapi ajo u divorcua dhe gjykata ia la fëmijët në ngarkim. Së bashku me fëmijët ajo u shpërngul tek shtëpia e prindërve ku jetoi deri në momentet e fundit të jetës.
Prindërit e saj kanë kontribuar për fëmijët por 6 muaj më parë babai i mori fëmijët dhe tashmë nuk i lejon që ata të takohen me gjyshërit. 56-vjeçaria me lot në sy ka bërë apel për ndihmë ndaj shtetit që ta ndihmojë të shikojë fëmijët pasi nuk mund të jetojë pa ta.

“Dua të shikoj fëmijët, nuk i marr por janë amaneti i vajzës që më hoqi aq shumë me burrin. Ndërsa vajza ime ishte e sëmurë, burri i saj futi grua tjetër në shtëpi. Megjithatë unë nuk dua t’i ndaj i ati por dua t’i shikoj. Mirë vajza më iku po të paktën të mos humbas fëmijët”, tha gruaja me lot në sy në emision.

Ajo rrëfeu më tej se në ceremoninë mortore as ish-bashkëshorti dhe as njerëzit e tij nuk kanë marrë pjesë duke akuzuar për neglizhencë ish-dhëndrin gjatë gjithë kohës që vajza e saj ishte e sëmurë. Nga ana tjetër në emision ka ardhur dhe zëri i dhëndrit. Ai ka thënë se dy ish-vjehrrit i dinë vetë arsyet se përse nuk ua lë fëmijë.

“E dinë vetë ata pse nuk i lë fëmijët. Dy herë i kam lënë dhe janë kthyer e di unë se si. Kaq nuk dua të flas më për këtë çështje. Le të merren me drejtësinë”, tha babai i fëmijëve.

Nga ana tjetër edhe gjyshja e tyre, Drita deklaroi se nuk do të hiqte dorë nga nipi dhe mbesa.
“Unë nuk heq dorë nga fëmijët deri sa të shkoj në krahë të vajzës”, tha 54-vjeçarja.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb