Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga shoqërimi i vrasësit serial Dan Hutra, i cili i mori jetën sot tre grave dhe plagosi tre të tjera.

Hutra i cili kishte vetëm 16 ditë që kishte dalë nga burgu, ka plagosur ish- gruan e tij, nënën e saj dhe të dashurën, ndërsa i ka marrë jetën motrës së ish-gruas, kunatës së saj dhe motrës së një prej armiqve të tij gjatë kohës kur ishte në burg.

Vrasja e parë ndodhi në orën 12:30 të mesditës në Kodër Kamëz. Autori i masakrës me dy të vrarë dhe dy të plagosur, sipas policisë, është Dan Hutra. Një person me precedentë të shumtë penalë, i cili sapo ishte liruar nga burgu.

Por mesa duket ai nuk kishte reflektuar pas krimeve të rënda që kishte kryer. Pasi ai thuhet se u kthye sot në oborrin e bashkëjetueses së tij të dytë, kreu këtë herë një masakër. Ai vrau në oborrin e ish-bashkëjetueses së tij, Elena Hysa, motrën e kësaj të fundit, Mevlute Hysa, 30 vjeç. Si dhe la të vdekur të fejuarën e vëllait të ish-partneres së tij, Hasime Dafku, po 30 vjeç. Po kështu ai la të plagosur edhe Kujtime Hysën, nënën e ish-bashkëshortes së tij si edhe gruan e tij, Elena Hysa.

Çifti thuhet se jetonin në kryeqytet dhe ishin martuar me mblesëri vetëm 8 muaj para ngjarjes së rëndë.
Ngjarja erdhi pas dhunës që ky i fundit ushtronte vazhdimisht ndaj saj. Dan Hutra që siç theksuam edhe më herët ishte një person me rekorde të pafundme kriminale në familje. Pasi në vitin 2007 ai rezulton se kishte vrarë me thikë, bashkëshorten e tij të parë, ngjarje e ndodhur në Kukës.

Siç u raportua, ai goditi 2 herë me thikë në zemër bashkëshorten Dafina Havalja, në atë kohë vetëm 25 vjeçe. Por ky duket se nuk ishte veprimi i parë i dhunshëm që Dan Hutra kishte kryer brenda familjes. Pasi ai thuhet se para se të martohej me Dafina Havaljan, ai ishte dënuar për heqjen e lirisë së nënës dhe kunatës së tij dhe tentativën për përdhunimin e tyre, krime për të cilat thuhet se kreu vetëm 3 vite heqje lirie. Ndërsa u kthye sërish në qeli në vitin 2007 si vrasës i bashkëshortes së tij të parë, krim të cilin e pranoi edhe para gjykatës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb