TIRANË- Policia e Tiranës ka arrestuar një 41-vjeçar me profesion avokat, i cili ishte në kërkim pasi kishte tentuar të korruptonte një gjyqtare.

Specialistët e Seksionit të hetimit të Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, kanë arrestuar shtetasin Ervin Braho, banues në Tiranë.

Braho ishte shpallur në kërkim, pas kallëzimit të shtetases S. Gj., me detyrë gjyqtare në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, se shtetasi Ervin Braho përfaqësues ligjor i një shoqërie, ka tentuar t’i japë në formë ryshfeti në zyrën e saj shumën prej 5 milion lekësh të vjetra me qëllim favorizimin në një çështje gjyqësore.

Ervin Braho në janar të këtij viti ka shkuar në zyrën e gjyqtares duke i lënë asaj mbi tavolinë një zarf me shumën financiare prej 5 milion lekësh.

Gjyqtarja ka pasur në dorë çështjen për gjykim ku Braho ka paditur Ministrinë e Ekonomisë, për dëmshpërblim financiar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Korrupsion Aktiv të Gjyqtarit Prokurorit, dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb