FIER

Jashtë kamerave nëna e Olsi Qalliaj, i cili u arrestua si një nga personat e dyshuar të vrasjes së Jurgen Kurtit në Tiranë, ka folur për “BalkanWeb” dhe “News 24”, ndërsa shprehet dhe ka besim tek djali i saj se nuk është përfshirë në një ngjarje të tillë. Ajo tha se të gjitha informacionet e publikuara deri më tani nuk janë aspak të vërteta se djali i saj ka makina të shtrenjta dhe biznese.

“Djali nuk kishte punë. Olsi merrej me shitje makinash, i punësuar. Kohët e fundit ka qenë pa punë. Nuk ka makinë. Nuk ka biznes. Nuk ka asgjë. Babai është në emigracion. Shtëpitë janë të pa përfunduara. Kemi një dyqan të vogël me të cilin ushqehemi. Nuk e besoj që djali ka bërë këtë gjë. E vërteta do dali në shesh.  Ato që kanë dalë janë një skandal. Ka një xhaxha në Itali. Një në Amerikë. Kemi vjehrrën dhe vjehrrën në shtëpi.  Nuk është gjetur asnjë armë në shtëpi.  Unë jam e papunë. Osli nuk ka një makinë. Ato që dalin nuk janë të vërteta. Nëse Olsi do kishte aq leke do ishte mbushur me makina këtu jo me dru për t’u ngrohur në sobë”, tha nëna e Olsi Qalliajt.

Gjithashtu edhe të afërmit e Olsit shprehen të shokuar për këtë rast. Ata besojnë se Olsi nuk është i përfshirë në këtë ngjarje si dhe kanë besim se drejtësia do të japë drejtësi.

Fqinjët e të riut tregojnë mes tjerash se Olsi Qalliaj është një nga djemtë më të mirë të lagjes, por nuk e përjashtojnë mundësinë se ai mund të ketë rënë viktimë e shoqërisë. Nga ana tjetër vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë, ku Jurgen Kurti apo i njohur ndryshe si “Menaxheri i VIP-ve” mbeti i vrarë ditë më parë në kryeqytet.

“Jemi shumë të shokuar për ngjarjen. Olsi është një nga djemtë më të mirë të fisit tonë dhe ne jemi shumë të shokuar. Mendoj se mund të jetë edhe viktimë e shoqërisë. Është djali më i miri i lagjes  është rritur me djalin tim, ndërsa sot  djali im është për doktor, por Olsi nuk kishte  mundësinë të vijonte më tej. Familja e Olsit është hallexhinje siç jemi të tërë ne, por të kishte Olsi atë jetë luksoze  siç ka dalë në media, ai do ta kishte rregulluar katin e dytë të shtëpisë. Drejtësia do të bëjë drejtësia dhe Olsi do të dalë i pafajshme sepse nuk është djalë i tillë”, thanë mes tjerash fqinjët.

Jurgen Kurti u ekzekutua me 18 mars, poshtë banesës së tij në Tiranë. Ndërsa dy ditë më parë  u arrestuan Elsi Levendi, 21 vjeç, Alesio Berberi 33 vjeç si dhe Olsi Qalliaj, 22 vjeç të dyshuar si bashkëpunëtorë të autorit të krimit.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb