Një ditë pas arrestimit të tre të rinjve, të dyshuar si bashkautorë në vrasjen e menaxherit të VIP-ve, Jurgen Kurti dhe shpalljen në kërkim të autorit të 4 të dyshuar i i dentifikuar si Klodian Bane. Gazetarja Dorjana Bezat sjell për “BalkanWeb” detaje të reja për lëvizjet e këtij të fundit dhe si arriti policia ta identifikonte.

Ditën e ngjarjes mjetit tip “Benz” ngjyrë gri me të cilën iu bë atentat Jurgen Kurtit, Klodian Bane i ka mbivendosur targa false.

Pas ngjarjes mjeti është ndjekur nga kamerat e sigurisë dhe është kapur duke u futur në një rrugicë ku ka hequr targat false për të vijuar të qarkullojë me targat e veta. Ishte pikërisht ky detaj që ndihmoi policinë të identifikojë pronarin dhe me pas 3 miqtë e tij tashmë të arrestuar: Elsi Levendi lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë, Olsi Qalliaj 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos dhe Alesio Berberi 33 vjeç lindur në Patos dhe baunes në Patos, Fier.

ROLET NË GRUPIN E “VRASËSVE”
Ditën e vrasjes pranë banesës së Kurtit qëndronte personi që e ndiqte në këmbë 21-vjeçari, Elsi Leventi. Edhe momentin e vrasjes 21-vjecari ka qenë i pranishëm në zonë dhe dyshohet se ai ka njoftuar ekzekutorët për mbërritjen e Kurtit pranë pallatit. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë në zonë policia ka ndjekur lëvizjet e 21-vjeçarit dhe të makinës dhe është parë se pas atentatit ata janë takuar. Pas identifikimit të personave ata janë vënë në përgjim dhe janë arrestuar.

Arma, makina dhe sendet e tjera të sekuestruara nga policia janë gjetur ne banesën e Alesio Berberit. Të 3 të arrestuarit kanë mbajtur qëndrim mohues para policisë dhe nuk kanë pranuar përfshirjen në këtë ngjarje. Ata rezultojnë të jenë me arsim 8 dhe 9-vjeçar dhe të papunë, çka rriten edhe më tej dyshimet për veprimtarinë e tyre.

ARRESTIMI I AUTORËVE TË DYSHUAR
Tre personat e përfshirë në vrasjen e menaxherit të VIP-ve janë arrestuar në Tiranë ditën e djeshme duke udhëtuar me makinë. Në polici ata nuk kanë pranuar akuzat dhe nuk kanë dhënë detaje.
Te rinjtë e kanë ndjekur për disa ditë Jurgen Kurtin dhe janë kapur nga kamerat e sigurisë duke udhëtuar me mjetin “Benz” që u përdor edhe ditën e vrasjes. Policia deklaroi më herët se gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e këtyre shtetasve gjeti dhe sekuestroi një automjet që u ka shërbyer autorëve për tu larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze.

Gjithshtu u gjet dhe një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarak, një sasi prej 2470 Euro e lekë shqiptare, 13 aparate celular, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike.

PËRGJIMET E GRUPIT
Gjatë kohës që të rinjtë ishin në përgjim mes njëri-tjetrit të rinjtë kanë folur për një shumë parash që do të merrnin për “punën” e kryer. “Ke folur për ato lekët?”, “Kur do i marrim ato lekët?” Janë këto disa prej bisedave të përgjuara mes tyre.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb