E ardhmja e Mauro Icardit, me përjashtim të kthesave të bujshme në orët e fundit të merkatos së janarit, do të jetë ende te Galatasaray. Javët e fundit, ish-lojtari i Interit ishte përfolur te Real Madrid, me skuadrën e Ancelottit në kërkim të një sulmuesi, pas dëmtimit të Vinicius.

Për argjentinasin, i rritur në Spanjë në sektorin e të rinjve të Barcelonës, u fol për një huazim 6 mujor dhe pagë të madhe prej 8 milionë eurosh. Megjithatë, siç raportohet sot nga portali turk “Fotomac”, Galatasaray e ka kthyer çdo ofertë te dërguesit, duke “blinduar” sulmuesin e lindur në vitin 1993, të paktën për këtë sezon.

27 paraqitje këtë sezon, mes ligës dhe kupave, 17 gola dhe 6 asiste në “llogarinë” e ish-kapitenit zikaltër. Këto janë shifrat e Icardit, që e shtynë Galatasaray të refuzonte të gjitha ofertat, përfshirë edhe atë të Real Madridit.

Argjentinasi ka një kontratë që skadon në vitin 2026 me klubin e Stambollit. Bisedimet për një transferim mund të rihapen në verë, me kusht që të arrijë një ofertë e rëndësishme ekonomikisht si për lojtarin, ashtu edhe për klubin turk.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb