TIRANE- Përgjegjësitë për incidentin e ndodhur dje në stadiumin “Qemal Stafa”, ku për arsye sigurie u ndërpre takimi Kukës-Legia Varshava, i takojnë Policisë së Shtetit. Kështu deklaroi gazetari i emisionit investigativ “Xhungël”, Artan Hoxha, i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24. Sipas Hoxhës, blutë e kryeqytetit nuk ishin përgatitur për një plan masash që të menaxhohej situata.

Nga ana tjetër gazetari Artan Hoxha deklaroi se 160 tifozë polakë, që Hoxha i cilësoi ‘huliganë’, të cilët njihen për sjellët e tyre famëkeqe në të gjithë botës, kanë qenë të organizuar dhe vepronin si një komando.

“Ku është defekti i kësaj ndeshje? Së pari; organizimi i ndeshjes. Rregullorja e përcakton qartë se ai që është përgjegjës për pritjen është klubi pritës. Klubi i Kukësit ka përgjegjësi për këtë pjesë. Për mua një dështim i jashtëzakonshëm, janë masat e marra nga Policia e Shtetit. Në rastin konkret përgjegjëse kryesorë e kësaj ngjarje është Policia e Shtetit. Policia e kryeqytetit ishte e detyruar të merrte masa paraprake. Cilat duhet të ishin masat? Kush ishte kjo skuadër? Ku do akomodohen tifozët.”, tha Hoxha.

“Policia ka ngarkuar 250 policë kur ke 160 huliganë të sprovuare në gjithë Europën…policia e Rendit ka qenë me armë me pistoleta gjë që nuk lejohet..por ata nuk kishin veçse 20 trupa rezervë. Ndeshja është ndërprerë për shkak se delegati i UEFA-s dhe arbitri e kanë specifikuar, për shkak të mungesës së sigurisë dhe rrezikimit të jetës së lojtarëve”,- shtoi Hoxha.

Hoxha shtoi se situata e krijuar mbrëmjen e djeshme është neglizhuar. Një problem tjetër sipas tij ishte vendosja e tifozëve pranë njëri-tjetrit. “Tifozët kanë qenë afër njeri-tjetrit, ky ishte një tjetër problem. gjithë ai grumbull mbahej në anën e majtë vetëm nga një kordon prej 10 policësh, policia ka dyfishuar forcat por kjo ishte krejt e panevojshme për ti përballuar tifozët polakë”.

“Nëse ata do kishin tentuar të thyenin gardhin nuk do dinim se çfarë mund të kishte ndodhur, tifozët shqiptarë ishin adoleshentë shumica, as e kishin idenë se çdo të ndodhte”, shtoi Hoxha duke shtuar se zgjidhje do të ishte çuarja e tifozëve të Kukësit prapa portave, ose3 e tifozëve polakë.

Sipas Hoxhës, problem ka qenë edhe fakti që tifozët e Kukësit hynë në stadium të pakontrolluar. Vetëm kontrolli, siç shtoi gazetari, do kishte shmangur shishet plastike e sendet e forta në fushë.

Provokuese sipas tij ishte edhe një parullë që mbanin në fillim të ndeshjes tifozët e Kukësit. “Fundi i lojës do jetë fundi i jetës suaj! Unë nuk jam sllav, unë jam shqiptar”. Sipas Hoxhës ajo është fotografuar nga delegati i UEFËS menjëherë.

Penalizimet për Kukësin, shtoi Hoxha mund të nisin me një gjobë të rëndë, dënim të fushës por edhe deri tek përjashtimi i skuadrës nga kompeticionet evropiane. “Besoj që edhe Legia do gjobitet”,- shtoi ai.

(ma.ar/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: