Nga: OLA MITRE*TIRANE-Një infermier që merret me art. Tingëllon e çuditshme, por është e vërtetë. Arti që bën ai nuk është si të tjerët, por ngrihet mbi mbeturina që çdokujt do i dukeshin pa vlerë. Sokol Ozuni përpiqet që çdo copëz ta riciklojë e ta kthejë në vepra të destinuara për t’u admiruar. Kanoçe, shishe, gazeta, pjata e xhama të thyer janë disa nga materialet, të cilat punohen nga duart e 26-vjeçarit, jo vetëm për t’u shndërruar në art, por mbi të gjitha për të përcjellë mesazhin e rëndësishëm të riciklimit. Përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, Sokoli tregon lindjen dhe zhvillimin e pasionit të tij, ndërsa thekson se vetëm nëse riciklojmë, do të kemi më pak mbeturina.
Sokol, ti ke përfunduar studimet e larta për infermieri. Si lindi ky pasion për të ricikluar sende apo materiale që në pamje të parë çdokujt do i dukeshin pa asnjë vlerë?
Lindi natyrshëm si pasion, por kuptova që ishte diçka që më mbushte dhe ku idetë e mia gjenin zbatim. Tek unë ekzistonte dhe një pasion që ndoshta ka lindur me mua: ky ishte pasioni për artin. Që herët, e ndjeja dëshirën për të mbushur kohën e lirë me ndonjë vizatim të thjeshtë, ndonjë skicim apo kompozim amatoresk. Pushimet verore më jepnin mundësi që këtë pasion ta vija në zbatim: qëndroja deri vonë mbrëmjeve për të krijuar korniza me rërë dhe gurë që i kisha mbledhur gjatë ditës. Duhej të punoja me materiale që mund t’i gjeja lehtë dhe pa kosto, prandaj përdorja rërën, gurët, xhama të thyer, shishe plastike dhe qelqi që i ruaja pas konsumimit. Më pas këto u bënë materialet kryesore me të cilat realizoja punimet e mia. Në shtëpi nuk hidhja asgjë: asnjë material sintetik, kanoçe, shishe, pjata të thyera, gota të thyera, gazeta… Çdo gjë fillova ta kthej në art dhe kjo vazhdoi të zhvillohej më tej.
Si u zhvillua më tej?
Gama e materialeve që unë përdor për artin tim është zgjeruar aq shumë sa tashmë dhe lëkurat e portokallit nuk i hedh, por i përdor për të bërë piktura apo abazhur. Kështu fillova të ricikloj çdo material.
A mund të na përshkruash disa prej punëve të tua?
Më ka ndodhur të mbledh xhamat që kam gjetur pas një aksidenti rrugor dhe i kam kthyer në abazhur. Po ashtu edhe shishet e pijeve alkoolike i kam kthyer në abazhur, gazetat i kthej në panorama dhe korniza, madje dhe kapakët e tenxhereve dhe CD-të i kthej në abazhurë.
Në fakt, punimet e tua u zgjeruan aq shumë, duke u finalizuar me hapjen e një ekspozite. Si erdhi ideja për t’i ekspozuar?
Punimet po rriteshin dita-ditës derisa një moment më sugjeruan të realizoja një ekspozitë. Nuk kisha punuar për diçka të tillë dhe nuk mendoja se diçka e krijuar thjesht nga pasioni do të pëlqehej nga masa. Megjithatë, në nëntor të vitit të kaluar zhvillova ekspozitën e parë personale në Durrës me titull “Gjithçka në Art”. Ishte ai momenti që më bëri të kuptoj rëndësinë e këtij lloj arti, të cilin unë e quaja ‘arti i kohës së lirë’. Pas ekspozitës fillova ta zhvilloj më shumë hapësirën e ideve dhe punimeve. Tashmë e përdor artin tim jo vetëm për të përmbushur shijet e mia, por për të përcjellë një mesazh: Të riciklojmë! Në këtë mënyrë bëhemi më pak konsumatorë e do kemi më pak mbeturina. Finalizimi i kësaj ideje erdhi këtë vit, ku në bashkëpunim me Qendrën Rinore Tiranë, vendosa që më datë 21 maj 2015 të hap ekspozitën time të dytë personale me titull “Art dhe Riciklime”, ku tematika dhe mesazhi që përmenda më lart ishin shumë të qartë.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: