Emisioni Top Story në Top Channel ditën e djeshme tregoi se si  bashkitë kanë abuzuar me plehrat e qytetit, duke rritur artificialisht sasinë për të tenderuar më tepër para.

Në Bashkinë Belsh, pjesë e qarkut të Elbasanit, në vitin 2016 kjo bëhet një tender për pastrimin e qytetit për 4 vite, me vlerë 82 milionë lekë të vjetra.

Vijmë në vitin 2020, kur duhet të tenderohet sërish pastrimi i Belshit. Kësaj here tenderi bëhet 410 milionë lekë dhe është pothuajse 5 fishi i tenderit të mëparshëm. Për të justifikuar këtë fryrje të plehrave, zyrtarët e Bashkisë së Belshit kanë bërë një studim sikur qyteti i tyre gjeneron mbi 2700 ton plehra në vit.

Sot Belshi i depoziton mbetjet në impiantin e Elbasanit, ku çdo mbetje matet përpara se të shkojë në djegie. Top Story i dërgoi një kërkesë zyrtare impiantit të Elbasanit, i cili vuri në dijeni se Bashkia e Belshit depoziton aty rreth 150 ton plehra në muaj, ose rreth 1800 ton plehra në vit.

Pra, Bashkia e Belshit ka rritur artificialisht shifrën prej 900 ton plehrash në vit, për të 5 fishuar shumën e tenderit. Natyrisht ky është një dëm financiar, por më tepër se kaq, është një marrëdhënie interesash mes bashkisë dhe kompanive private, të ngritura mbi plehrat e qytetit.

Vijojmë me një tjetër bashki, atë të Librazhdit. Në vitin 2016, kjo bashki realizon një tender për pastrimin, me vlerë 480 milionë lekë të vjetra, për 4 vite. Fitues është kompania e Arbër Abazit,  nipit të Sadri Abazit, “Alko Impeks”.

Pasi mbaron kjo kontratë, në korrik të vitit 2020, Bashkia e Librazhdit shpall sërish fitues kompaninë e Arbri Abazit për pastrimin e qytetit, por kësaj herë me një vlerë pothuajse 3 herë më të lartë, rreth 1.2 miliardë lekë.

Librazhdi për të justifikuar këtë rritje, ka përpiluar një studim ku thotë se në muaj gjenerohen 330 ton mbetje.

Sërish Top Story u interesua pranë landfillit të Elbasanit, aty ku depozitohen të gjitha mbetjet e Librazhdit. “Sipas të dhënave të siguruara nga impianti, kompania e Arbër Abazit, nipit të Sadri Abazit depoziton rreth 200 ton çdo muaj.

Kjo do të thotë se 130 ton mbetje nuk ekzistojnë në këtë bashki, por ajo e ka rritur artificialisht sasinë e plehrave për të shtuar buxhetin prej 1.2 miliard eurosh për kompaninë e nipit të deputetit socialist Arber Abazi.

Ndërkohë ka edhe bashki si ajo e Gramshit e cila ka vendosur të zhvillojë tender për mbetjet urbane, duke u bazuar tek sasia që dërgohet në impiantin e Elbasanit.

Këto shembuj japin shpjegimin se mafia e plehrave nuk ka interes të kontrollohet në asnjë cep të Shqipërisë. Tre impiantet, ai i Elbasanit, i Fierit dhe i Sharrës bëjnë matjen faktike të plehrave, dhe kjo sjell një kontroll zinxhir deri tek tenderimi i bashkive.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb