Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE- Arben Kicja, dëshmitari kyç që “fundosi” kreun e Bandës së Lushnjës, Aldo Bare, prej ditës që u përjashtua nga programi i mbrojtjes, po përballet me një sërë pengesash. Kicja dhe familja e tij, janë braktisur dhe enden dyerve të institucioneve në kërkim të identitetit. Në momentin kur katër pjesëtarët e familjes u nxorën nga programi i mbrojtjes së dëshmitarëve, Arben Kicjas, bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve, u janë marrë dokumentet me identitetin e ri që kishin marrë për shkak të statusit që gëzonin, po ndërkohë nuk u janë kthyer dokumentet e vjetra me identitetin e tyre të vërtetë. Në këto kushte, dy fëmijët e familjes Kicja kanë mbetur pa shkollë, pasi diplomat që kanë marrë në shtetin x ku qëndruan “të fshehur”, rezultojnë të jenë me identitetin e ndryshuar, që fëmijët morën në momentin që u futën në programin e mbrojtjes, identitet që nuk figuron në institucionet shqiptare. “Gjithë këta muaj ne përplasemi sa në një derë në tjetrën, por askush nuk na jep përgjigje. Jemi lënë në mes të katër rrugëve. Ndihemi të rrezikuar për jetën, por ajo që po na shqetëson edhe më shumë, është fakti se dy fëmijët tanë nuk po integrohen në institucionet arsimore, nuk po arrijmë t’i regjistrojmë në shkolla, pasi nuk kemi dokumente identifikimi. Diplomat që kanë marrë në vendin ku ne qëndronim, janë me identitet të ndryshuar, që nuk figuron këtu në Shqipëri. Kërkojmë ndihmë që fëmijët të nisin jetën e tyre normale”, thotë Arben Kicja për “Gazeta Shqiptare”.
Z.Kicja, ju jeni përjashtuar prej muajsh nga programi i mbrojtjes së dëshmitarëve; cila është pengesa e radhës që ju pretendoni se keni hasur?

Së pari, dua të them që ne u braktisëm nga shteti. U lamë në mëshirë të fatit. U “tradhtuam”. Por, përtej të gjithave, frikës për jetën që po përpiqemi ta kalojmë, nuk po arrijmë dot të integrojmë fëmijët këtu në Shqipëri. Prej muajsh endemi nëpër dyert e institucioneve, me shpresën që vajza dhe djali të regjistrohen në shkollë dhe të vazhdojnë jetën e tyre normalisht. Por, nuk po arrijmë dot t’i regjistrojmë.
Po përse s’i regjistroni, cila është arsyeja?
Në momentin kur u përjashtuam nga programi i mbrojtjes, mua, gruas dhe dy fëmijëve na morën dokumentet e identitetit. Sigurisht, në ato dokumente ne nuk figuronim me emrat tanë të vërtetë, pasi identiteti na u ndryshua kur u dërguam në shtetin pritës. Por, më e keqja është se nuk na kthyen as dokumentet e vjetra, pra pasaportat me identitetet tona të vërteta. Ndaj ne kemi mbetur pa dokumente identifikimi dhe për rrjedhojë nuk mund të regjistrojmë fëmijët në shkollë. Gjithashtu, nuk mund të bëjmë asnjë veprim tjetër, qoftë edhe të shkojmë te mjeku.
A u jeni drejtuar institucioneve për të kërkuar zgjidhje të këtij problemi?
Kemi trokitur në të gjitha dyert, por deri më tani fëmijët tanë vazhdojnë të mos shkojnë në shkollë. Djali duhej të vazhdonte klasën e shtatë dhe në fakt paraqitet vetëm si dëgjues, pasi nuk mund ta regjistrojmë. Të dy fëmijët, edhe vajza edhe djali, kanë marrë diploma në shtetin pritës, ku ne qëndruam, dhe në dokumente figurojnë të jenë me identitetet e reja. Vajza me identitetin A.C. Nga institucionet ne kemi marrë përgjigje vetëm nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, ku ndër të tjera në shkresë shkruhet: “Sa më sipër, duke konstatuar se kërkesa e Drejtorisë së Policisë së Shtetit është e mbështetur në aktet ligjore dhe nënligjore, Universiteti i Tiranës të mundësojë regjistrimin e shtetases A.Kicja në programin e studimit të kërkuar”. Shkresa mban firmën e ministres Lindita Nikolla, por vajza nuk është regjistruar në asnjë program studimi.
Çfarë kërkoni konkretisht?
Ne duam që shteti të mos na lërë në mes të rrugës. Jemi të bindur që asnjëherë nuk kemi për t’u kthyer në programin e mbrojtjes. Por, ama të na japin një identitet! Të kenë mundësi fëmijët të shkojnë në shkollë. Ne të integrohemi.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: