Një proces i ri gjyqësor ka nisur ndaj Zoran Vukotiqit, të cilit në të gjitha shkallët i është konfirmuare dënimi për dhunim gjatë luftës. Në procesin e ri gjyqësor ai përballet me akuzat për një tjetër dhunim, për pjesëmarrje në Masakrën e Studimes, si dhe për një numër vrasjesh të civilëve, përfshirë edhe vrasjen e një 13-vjeçari
Ish-pjesëtari i policisë serbe, Zoran Vukotiq, i dënuar me 13 vjet burgim për dhunim seksual gjatë luftës, ka dalë në seancë statusore para Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Krahas dënimit për këtë krim lufte, Vukotiq akuzohet edhe për mizori të tjera, përfshirë pjesëmarrjen në Masakrën e Studimes, për vrasjen e një 13-vjeçari, si dhe për një rast tjetër dhunimi.
Gjykata ka aprovuar propozimin e avokatit të tij, Nebojsha Vlajiq, për t’i bashkuar katër lëndë gjyqësore për krime lufte, ku ai është i akuzuar. Si argument për bashkimin e lëndëve Vlajiq përmendi rastin më të madh në Gjykatën Speciale, ku u janë bashkuar disa lëndë të akuzuarve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
“Mund ta përmendim edhe rastin më të ri te Dhomat e Specializuara në Hagë. Është gjykatë e Kosovës… Akuzohen për gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe për katër krime lufte. Por është një procedurë dhe do të jetë një aktgjykim… Unë nuk shoh asnjë problem teknik”, ka thënë avokati
Nebojsha Vlajiq, tek ka arsyetuar nevojën për bashkimin e rasteve të reja për të cilat akuzohet Vukotiqi.
Trupi gjykues e ka aprovuar kërkesën.
“Tani ndaj të akuzuarit Zoran Vukotiq, për të gjitha këto çështje penale do të zhvillohet një procedurë e vetme”, ka thënë Rrahman Beqiri, kryetar i trupit gjykues.
