Polonia po heq reputacionin për armiqësi ndaj emigrantëve, duke mirëpritur më shumë se gjysmë milioni refugjatë në këto dhjetë ditë.

Dhimbja dhe lodhja u skalitën në fytyrën e Elena Cherevulia, ndërsa ajo përqafonte fëmijën e saj të vetëm, Viktoria, 13 vjeç, pas një udhëtimi 4-ditor nëpër Ukrainë, për t’i shpëtuar bombardimeve ruse.

Ashtu si mbi një milion bashkatdhetarë të tyre, nëna, vajza dhe qeni kishin ikur nga lufta dhe gjithçka që dinin në mes të të ftohtit ishte një e ardhme e pasigurt. Por ato kanë gjetur një pritje të ngrohtë nga fqinjët e tyre në Poloni.

“Njerëzit këtu kanë qenë kaq bujarë”, tha Elena, e cila është dentiste, duke shtuar se “Ata e dinë që ne nuk e meritojmë këtë që po na ndodh”.

Por, e lehtësuar për mbërritjen në Poloni, ky mund të mos jetë udhëtimi i fundit i saj. Burri i saj, Aleksandr, një shofer kamioni, po dërgonte mallra në Gjermani, kur Rusia nisi pushtimin 11 ditë më parë. Ajo do të udhëtojë sot në qytetin lindor polak, Rzeszow, së bashku me të bijën Viktoria, për t’u takuar me Aleksandr, teksa ky i fundit do të kthehet më pas në vendin e tij për të luftuar.

“Nga njëra anë nëna ime dëshiron të shkojë me babanë tim për të mbrojtur vendin tonë”, shpjegoi Viktoria solemnisht, “por nga ana tjetër, ajo dëshiron të qëndrojë me mua, që të kujdeset për mua dhe të më japë një të ardhme të ndritur. Ajo nuk di çfarë të bëjë”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Elena pohoi e përlotur me kokë. “Unë mund të jem e dobishme dhe të shpëtoj jetë”, tha ajo, duke shtuar se “si mund ta lë vajzën time? Nëse do të kisha dikë që të kujdesej për të këtu, do të shkoja. Nuk mund të fle, duke menduar për këtë… nuk di çfarë të bëj”.

Është një dilemë, me të cilën asnjë nënë s’do donte të përballej, por familjet nga e gjithë Ukraina po copëtohen në këtë mënyrë.

Përgjatë kufirit 330 milje të Polonisë me Ukrainës pati përqafime dhe ribashkime mes familjeve, por edhe lot, pasi ato ishin gati të ndaheshin. Një grua bërtiti nga gëzimi, teksa pa nënën e saj, Ludmilën, por aty pranë, një grua tjetër u ul duke qarë, pasi i dha lamtumirën të shoqit, që po kthehej për të luftuar, duke e lënë atë dhe vajzën e tyre 10 vjeçe pas.

Deri para dhjetë ditësh këta persona bënin një jetë normale. Tonya, 24 vjeçe, psikologe fëmijësh, kishte mbërritur në kufi me motrën e saj Drina, 21 vjeçe, e cila punonte në një sallon bukurie. Në kushte normale, ato do të kishin dalë me miqtë. “Sot është ditëlindja ime e 24-të”, tha Tonya, “nuk e prisja kurrë që do ta festoja kështu”.

Elena normalisht do ta çonte Viktorian në shkollën e vallëzimit dhe akrobaci, në fundjavë. “Botët tona u kthyen papritur përmbys”, tha ajo.

Gjithçka ndryshoi kur ata u zgjuan nga një seri shpërthimesh, në atë që rezultoi të ishte dita e parë e luftës. “U ndje si një tërmet”, tha Elena. Më pas, ata dëgjuan sirenat e sulmit ajror. Vendlindja e tyre Khmelnytskyi është vendi i një prej katër centralëve bërthamorë të Ukrainës.

“Ishte e tmerrshme”, tha ajo. I shoqi i telefonoi nga Gjermania dhe i kërkoi që të transferoheshin në një vend të sigurt. “Ne nuk dinim ku të shkonim”.

Ata u larguan me aq nxitim, sa morën vetëm këpucët dhe rrobat që kishin veshur. Një prioritet i madh ishte qeni, Maya. Elena e mbante kafshën të futur në xhaketën e saj, teksa po ngiste makinën.

Më shumë se 1.3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina në dhjetë ditë, disa në Hungari, Rumani apo Sllovakinë fqinje, por më shumë se gjysma në Poloni, ku thonë se kanë gjetur dashamirësinë e vendasve.

Ndërsa bombardimet vazhdojnë në disa qytete, eksodi pritet të rritet, ku Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët paralajmëroi deri se pritet të largohen deri në 4 milionë ukrainas. Por, ndryshe nga krizat e tjera humanitare, këta refugjatë janë pothuajse të gjithë gra e fëmijë, të veshur me pallto e çizme dimërore. Qeveria ukrainase ka ndaluar largimin e burrave të moshës 18 deri në 60 vjeç, duke iu kërkuar që të regjistrohen dhe të luftojnë për mbrojtjen e vendit nga agresori rus.

Ndryshe nga njerëzit e tjerë të zhvendosur nga lufta, nuk ka gjasa që ukrainasit të përfundojnë në kampet e refugjatëve. Shumë prej tyre kanë familjet ose miqtë në pritje. Në Budomierz, javën e kaluar, makinat u rreshtuan për t’u ofruar njerëzve vende për të qëndruar.

Ata erdhën me kafshë shtëpiake, me biçikleta për fëmijë dhe sende të tjera të çmuara, përveç çantave e valixheve.

Julia, 29 vjeçe, një punonjëse e divorcuar në kopsht, erdhi nga Kievi me dy vajza të vogla, të veshura me rozë, dhe një djalë. Ajo po qante, dukej e lodhur.
“Ishte e vështirë si ferr”, tha ajo. “Ditët e para ishin vërtet të rrezikshme, duke u strehuar në bodrume nga bombardimet. E dija se duhej të largohesha për të shpëtuar fëmijët e mi, por ne nuk kishim makinë dhe erdhëm me tren”.

Violeta, 7 vjeçe, nga Odessa, shtrëngoi macen e saj të madhe gri, Thomas, teksa ajo vështronte egërsisht përreth. Nëna e saj, Ruslana, 37 vjeçe, e kishte sjellë atë dhe vajzën më të madhe me tren. “Ishte aq plot, sa njerëzit uleshin dhe qëndronin në radhë”, tha ajo.

Ndër ata që mbërritën në Poloni ishte edhe Roman, 36 vjeç, i cili mbante një çantë të madhe shpine.

“Isha i tronditur”, tha Roman, “E dija që Putin ishte i sëmurë, por kurrë nuk e kisha mënguar se do të ishte kaq i çmendur. Tani e gjithë bota e di për të, ai është një tjetër Hitler”.

Jo të gjithë burrat që shkojnë në front janë ukrainas. Të premten, dy të rinj britanikë mbërritën në vendkalimin Budomierz, pasi u regjistruan si vullnetarë, edhe pse asnjëri nuk kishte trajnim për luftë.

“Është çnjerëzore të bombardosh fëmijë pa asnjë arsye”, tha Matt Harden, 25 vjeç, nga Liverpooli, i cili kishte lënë nënën e tij për t’iu bashkuar luftës. “Është e neveritshme”, u pajtua Steven nga Skocia. “Putini është një psikopat dhe ne të gjithë duhet ta ndalojmë atë”.

Nga New York Times, përktheu BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb