Nga: BRIKENA META*GJIROKASTER – Kur na ndan vetëm një javë nga çelja zyrtare e aktivitetit më të madh të trashëgimisë shpirtërore, Festivalit Folklorik, katër ndër grupet më të mira të zonës së Gjirokastrës të përzgjedhura për të marrë pjesë në këtë festival, janë larguar nga ky aktivitet. Shkak sipas tyre ka qenë thyerja e rregullave të konkurrimit dhe përzgjedhja pas përfundimit të afatit vendosur nga Ministria e Kulturës i disa grupeve të tjera të eliminuara më parë nga grupi i punës i Qarkut Gjirokastër, çka bën që të ketë reduktim minutazhi për grupet e përzgjedhura më herët. Sipas specialistit të trashëgimisë dhe ish-anëtarit të këtij grupi pune, Shkëlqim Guçe, përzgjedhja e mëvonshme ka qenë jashtë afateve dhe selektive, duke tentuar të futen në festival grupe që nuk plotësojnë kriteret dhe duke larguar prej andej grupe të njohura të isopolifonisë së këtyre trevave. Sipas Guçes, faza finale që u bë në Gjirokastër në seleksionimin e të gjitha grupeve pjesëmarrëse nuk u respektua nga një pjesë e grupit të punës, sidomos nga përgjegjësi i këtij grupi, vendosur nga kryetari i qarkut Gjirokastër. “Fitim Çaushi është një person i cili nuk ka asnjë lidhje tradicionale me folklorin dhe as si specialist”, – pohon Guçe.

Ai shton se “po luhej me grupet dhe me dinjitetin e grupeve folklorike të cilat kanë kontribut për t’u ngjitur në kalanë e festivalit. Nga 18 zona etnografike të Qarkut Gjirokastër, sot Ansambli Gjirokastër nuk përfaqëson as 6 të tilla.” TË IKURIT DHE REAGIMI Grupi i instrumentistëve Qarku Gjirokastër, grupi folklorik “Gura e Picarit”, grupi i valleve të fëmijëve të Antigonesë dhe grupi “Ergjëria” i qytetit të Gjirokastrës kanë vendosur kështu të mos ngjiten në skenën e Festivalit Folklorik në shenjë proteste për shkeljen e kritereve dhe në emër të artistëve popullorë që po luftojnë ta ruajnë këtë trashëgimi popullore, sepse sipas tyre nuk mund të bëhet pazar me folklorin dhe trashëgiminë kulturore. Arjan Shehu, korifeu i grupit “Ergjëria”, një ndër më të njohurit jo vetëm brenda kufijve shqiptarë, por edhe jashtë saj, pohon se prezantimi i Ansamblit të Gjirokastrës, do të jetë një dështim duke parë grupet përfaqësuese dhe sidomos për faktin se nuk ka pasur asnjë periudhë parapërgatitore për grugrupet pjesëmarrëse. “Në këtë festival marrin pjesë ata që nuk thirren në konkurrim dhe jam shumë i prekur që grupe të njohura humbasin vlerat.

I vetmi festival të cilin do ta mbaj mend, se nuk ka asnjë drejtësi. Ndihem i prekur që Gjirokastra nuk do të japë variacionin që i duhet zonës sonë, por duhen prova e punë dhe respektim i traditave të çdo zone. Është mëkat ta deformojmë festivalin, nuk kërkojmë pagesë. Jam i vlerësuar edhe jashtë në botë, ndërkohë që nuk na njeh e vlerëson Gjirokastra. Ky festival për mua, me keqardhje e them, por do të jetë një dështim”. Por kryetari i qarkut Gjirokastër, Sulo Muçobega dhe përgjegjësi i grupit të punës Gjirokastër, Fitim Çaushi, pretendojnë se nuk kanë asnjë dijeni për largimin e këtyre grupeve folklorike. Sipas Fitim Çaushit, përgjegjës i grupit të punës, është bërë një rishikim i programit në një kohë të mëvonshme dhe kjo ka ardhur si nevojë e plotësimit të brumit folklorik, ndërsa nuk ka asnjë afat kohor të parapërcaktuar nga ministria për finalizimin e listës përfaqësuese të ansambleve folklorike. “Nëse gjejmë një vlerë folklorike, ne e përmbysim programin dhe e vendosim në çdo moment. Nuk ka kriter që të ndalon të bësh ndryshime në program edhe pas miratimit nga ministria; grupet e punës kanë dorë të lirë të fusin e heqin nga lista si ta mendojnë të përshtatshme”, – pohon Çaushi. PËRPLASJET Nga ana tjetër, Çaushi pranon se një ndër grupet për të cilat është këmbëngulur për pjesëmarrje, por që ka qenë i përjashtuar në përzgjedhjen fillestare, grupi “Argjiro”, prezantohet në këtë festival me një elegji që “edhe pse ka një interpretim shumë të mirë, është jashtë traditës dhe nuk bie erë Gjirokastër”.

Por, pavarësisht kësaj, ky grup do të paraqitet me këtë elegji të përcaktuar si jashtë traditës për shkak të ndërhyrjeve të shumta dhe për faktin se i duhet dhënë përparësi Gjirokastrës meqenëse festivali zhvillohet në Gjirokastër. “Kjo këngë nuk ka diçka të veçantë për të plotësuar aspektin folklorik. U kemi kërkuar të bëjnë ndryshime si të gjitha grupet e tjera, por nuk kanë pranuar”, – shprehet Çaushi. I organizuar me një vit vonesë, edicioni i dhjetë i Festivalit Folklorik të Gjirokastrës pritet nga organizatorët të jetë një risi në mënyrën e vet të prezantimit dhe organizimit. Më parë, specialistë të trashëgimisë në Gjirokastër ngritën zërin për cenimin e trashëgimisë folklorike nga huazimet, ndërsa cilësuan si kriter penalizues për treva të pasura etnografike si Qarku i Gjirokastrës, minutazhin e përcaktuar nga Ministria e Kulturës me vetëm 30 minuta për çdo ansambël, çka ka bërë që në këtë edicion të dhjetë, Gjirokastra të shkojë e cunguar nga pikëpamja e numrit të zonave gjeografike.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb