Ai ishte një nga të rinjtë që ra pre e ekstremistëve të Shtetit Islamik, ndërsa sot i penduar vuan dënimin në qeli me 3 vite e gjysmë burg. Në një video që është publikuar në rrjetet sociale 29-vjeçari kosovar Albert Berisha pranoi se kishte udhëtuar drejt Sirisë, por jo për t’u bashkuar ndonjë grupi ekstremist.

Ai thotë se ka patur vetëm qëllime humane, një ndjeshmëri të thellë ndaj asaj çka hiqte populli sirian nën Asadin, por që të ketë lyer duart me gjak, këtë kurrë nuk e pranon. Madje ai ka një angazhim publik për ta luftuar ekstremizmin, duke themeluar një OJQ, “INSID”.

“BalkanWeb” sjell si më poshtë mesazhin e qartë të shqiptarit nga Kosova që i bën thirrje të gjithë të rinjve që mos të bien pre e provokimeve të tilla.

“Më mirë është që të vuajmë disa vite në burg sesa të shkojmë dhe ta kemi ndërgjegjen e lënduar duke i përlyer duart me gjak. Ky vendim nuk mundet që të stopojë, nuk mund të më tjetërsojë dhe do të vazhdojë të merrem me procesin e deradikalizimin edhe pasi të vuaj dënimin, edhe pasi të dal nga burgu. Kjo nuk do të thotë se unë jam dorëzuar, do të shfrytëzoj të gjitha mjetet e nevojshme ligjore për të vënë drejtësinë në vend”, tha Albert Berisha.

Çfarë ju thoni atyre të rinjve që duan të ikin në Siri dhe Irak?
Ndodh që sëbashku të shkoni dhe të blini biletat për të udhëtuar, pastaj personi tërhiqet në momentin e fundit, ju mbeteni i vetëm në rrugë. Ju mund të përfitoni në organizata të rrezikshme, të takoni individë tejet të rrezikshëm dhe mund të ktheheni dhe të përfundoni sëbashku në burg. Pastaj personi që iu ka rekrutuar mund të tërhiqet, mund të shpëtojë nga burgu dhe mund t’ju etiketojë me lloj-lloj emri, duke ju lënë nofkat e bashkëpunëtorit dhe vetë të jetë i lirë dhe ju përfundoni në burg. Akoma më keq që ju mos të ktheheni fare dhe të jeni gjithë jetës me ndërgjegje të lënduar.

A duhet të kthehen në Kosovë ata që janë në Irak dhe Siri?
Do ju kisha dërguar një porosi të gjithë vëllezërve që gjenden në territorin e Sirisë dhe Irakut që të kthehen në Kosovë, në Atdheun e tyre, pa marrë parasysh se cili është sistemi aktual dhe cila është politika kundrejt nesh. Sistemet ndryshojnë, sot është ky sistem, nesër vjen një tjetër dhe nuk ia vlen që të lyeni duart me gjakun e njerëzve të pafajshëm. Është më mirë që të kthehemi këtu pa marrë parasysh se cilat janë pasojat.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb