Izraeli ka vendosur rregulla më të rrepta për kryerjen e sulmeve ndaj anëtarëve të Hamasit në Rripin e Gazës, duke kërkuar miratim paraprak nga drejtuesit më të lartë të ushtrisë, raportojnë mediat izraelite.

Sipas gazetës “Haaretz”, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Eyal Zamir, duhet të japë autorizimin për çdo operacion kundër anëtarëve të Hamasit, me përjashtim të rasteve kur trupat izraelite përballen me një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm.

Raportimet bëjnë të ditur se udhëheqja politike izraelite ka ndryshuar udhëzimet për autorizimin e sulmeve. Më parë, vendimmarrja mund të merrej edhe nga komandantë të niveleve më të ulëta.

Sipas “The Times of Israel”, ndryshimi i procedurave ka sjellë një ulje të numrit të sulmeve izraelite në Rripin e Gazës gjatë ditëve të fundit.

Ndërkohë, një plan i hartuar nga Bordi i Paqes i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara parashikon ndalimin e plotë të operacioneve ushtarake izraelite në Gaza, si dhe çarmatimin e Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura.

Bordi, i krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump, synon të mbikëqyrë procesin e rindërtimit të Rripit të Gazës dhe organizimin e rendit pas përfundimit të konfliktit.

Egjipti, Katari dhe Turqia, vende që kanë rol ndërmjetësues në konflikt, kanë reaguar kundër sulmeve të fundit izraelite në territorin e shkatërruar nga lufta dhe kanë bërë thirrje për hapa drejt një zgjidhjeje diplomatike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: