Presidenti Meta në konferencën për shtyp, këtë të premte sqaroi arsyet pse e ktheu për shqyrtim ligjin për Metrologjinë si dhe i kërkoi SPAK të hetojë. Sipas tij, ky shërbim që i takon publikut, jo vetëm i jepet privatit, por i jepet një privati preferencial.

Meta tha se të vetmit që humbasin në këtë mes janë qytetarët shqiptarë, të cilët rrezikojnë të paguajnë një çmim të caktuar për një sasi jo të saktë.

“Në jetën e përditshme për çdo shërbim që marrin qytetarët përballen me mallra që kalojnë nga peshëmatja, pra përmes shërbimit Metrologjik shteti garanton kontrollin e Metrologjisë që qytetarët të paguajnë për aq sa marrin në shpërblim edhe vjelja e taksave merret mbi sasinë e mallrave që qarkullojnë. Ky shërbim duhet të garantohet nga shteti.

Ata e kanë dhënë me koncension Metrologjinë nga shteti në privat, ligj me përmbajtje të rëndë antikushtetueshmërie, shkelet tregu i lirë dhe konkurrues. Skemë klienteliste, dhënia nga shteti te privati pa negociuar asnjë kusht kur vjen puna tek mbrojta e konsumatorit. Shteti heq dorë nga ky shërbim publik. Shërbimi kaloi në 4 P, Partneritet Publik Preferencual i Paracaktuar. Kjo është forma më e rëndë e shpërdorimit, e kam quajtur korrupsion legjislativ, nuk e ka shpikur Presidenti këtë term”,- tha Meta.

Sipas Metës, ligji në fjalë dhunon konkurrencën e lirë, cenon konsumatorët, shkel ligjin, sjell kosto shtesë për një shërbim që duhet dhe duhej kryer nga shteti.

“Ky është një tregues se si ligjvënësi është vënë në mbrojtje të oligarkëve të paracaktuar. Ky shërbim nuk kontrollohet dot as me vendim gjykate. Instrumenti matës nuk mund të jetë me i sigurt. Qytetarët do të detyrohen të paguajnë më shumë për sasi që nuk i marrin realisht. Ndaj e ktheva, njoftova SPAK për nisjen e hetimeve në lidhje me këtë ligj. E di shumë mirë që deputetët nuk mbajnë përgjegjësi, por ky parashikim kushtetues s’mund të përdoret si strehë për veprime arbitrare. Për t’i zbuluar hetimet të veprojë SPAK pa asnjë vonesë. Jam i shokuar se si Kuvendi i Shqipërisë kur në këtë situatë me covid që rëndohet, gjen kohën të çojë në duart e oligarkëve këto shërbime që rëndojnë te qytetarët. Korrupsioni nuk kryhet më nën dorë, por hapur, ditën për diell”,- tha Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb