Mjeku i njohur Pëllumb Pipero i ftuar në rubrikën “Opinion” në “New 24” ka komentuar edhe faktin se ka shumë njerëz, të cilët thonë se “jemi shqiptarë ne e nuk trembemi nga koronavirusi”.

Pipero u shpreh se kjo shprehje nuk gjen vend në këtë lloj situate, duke nënvizuar se cdokush mund të preket nga koronavirusi, andaj duhet kujdes maksimal për veten, e duke mbrojtur veten, mbrojmë edhe të tjerët.

“Moshat e reja në tërësi e kanë më të lehtë për të kaluar këtë sprovë. Pavarësisht se shumë thonë se jemi shqiptarë e jemi të fortë, nuk duhet të na gënjejë mendja fare, të mos gënjejë mendja askënd, pasi të gjithë jemi të rrezikuar. Urojmë të ndodhë sic ndodh me gripin stinor. Për sa kohë, virusi qarkullon, ne jemi më të rrezikuar, sigurisht. E kemi ne virusin në dorë, pasi ne mund të fitojmë këtë betejë. Nëse respektojmë këshillat, ne e kemi në dorë virusin. Nuk ka trimëri në këtë virus. Ky virus ka shenjë temperaturën mbi 37.5 për 2-3 ditë, kolla e thatë dhe vështirësia në frymëmarrje. Tështimat nuk i ka simptoma kryesore ky lloj virusi. Nuk ka lidhje grupi i gjakut, mund të sëmuren të gjithë”, tha Pipero.

Pëllumb Pipero ka nënvizuar se po ashtu qytetarët duhet të dëgjojnë këshillat e qeverisë, për të mirën e tyre, të të afërmve të tyre dhe të gjithë njerëzve.

“Unë e di se virusi nuk transmetohet nga nëna tek fëmijët e vegjël. Cdo qytetar që respekton vendimet e qeverisë në radhë të parë mbron veten, mbron shokun, na mbron të gjithë ne. Duhet të mendojmë për vete dhe kështu mendojmë edhe për të tjerët. Beteja jonë si mjekë pa ndihmën e qytetarëve është e pamundur. Sot qytetarët të mos na gjykojnë, por të na dëgjojnë. Dikush që ka kaluar A1H1, sigurisht që mund të preket”, u shpreh Pipero.

(d.xh/ Balkanweb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb