NGA MENTOR KIKIA*
Një ngjarje e fundit na riktheu edhe njëherë në skenë problemin e madh të rregullit dhe disiplinës në shkollën tonë. Një mësues në Durrës u arrestua, sepse ishte filmuar nga nxënësit ndërsa qëllonte një nxënës tjetër. Mësuesit, nxënësit dhe prindërit e tyre, madje edhe prindërit e nxënësit që u godit, firmosën një peticion për të mbështetur mësuesin e arrestuar.

Një çështje e nxehtë dhe delikate. Në shkollë dhuna është e papranueshme. E dënon kodi i etikës së mësuesit dhe ligji penal gjithashtu. Të gjithë shokohemi kur shikojmë “videoklipet” e nxënësve me mësues që ngrenë dorën kundër nxënësve. Shkolla është një vend ku mësohen dhe edukohen fëmijët dhe të rinjtë.

Unë personalisht nuk do ta pranoja që ai nxënësi që u qëllua nga mësuesi të ishte im bir. Por unë nuk do të pranoja as që im bir të ishte në atë klasë, ku një fëmijë tjetër, pa asnjë interes për shkollën, i paedukuar e i dhunshëm, nuk lejon mësuesin të zhvillojë mësimin.

Këtu futemi në një diskutim delikat: Kush duhet të ketë më shumë të drejta në shkollë, mësuesi apo nxënësi?
Mësuesi është aty që të bëjë mësim. Ai e ka për detyrë këtë. Paguhet për këtë punë, ka një kontratë me qeverinë. Dhe është i detyruar t’u shërbejë të gjithë nxënësve, si atij që shkon në shkollë kur t’i teket, ashtu edhe atij që vërtet dëshiron të mësojë. Kë duhet të respektojë më shumë mësuesi në këtë rast, të drejtën e atij që do të mësojë e të shkollohet, apo të drejtën e atij që do të prishë orën e mësimit?

Mua më vjen vërtet rëndë kur shikoj atë skenë, por më vjen shumë herë më rëndë kur mësoj se nxënësit që duan të mësojnë, nuk mund të bëjnë mësim sepse dikush prej tyre nuk e do shkollën. Dhe mësuesi vërtet është edukator, por jo prindi i atyre. Mësuesi në radhë të parë duhet të përmbushë detyrën e tij.
Ashtu si në shumë drejtime, edhe këtu ne duket se e kemi nisur demokracisë së prapthi. Para se të mësojmë se cilat janë detyrimet, ne po mësojmë se cilat janë të drejtat. Para se t’u mësojmë nxënësve që kanë për detyrë të vijnë në shkollë në orar, të mësojnë rregullisht, të mos prishin qetësinë, të mos përdorin telefonat në klasë, të mos shqyejnë bankat, të mos shkatërrojnë tualetet, të respektojnë mësuesit…, u mësojmë se kanë të drejtë të denoncojnë mësuesin edhe kur ngre zërin, pasi kjo quhet dhunë psikologjike.

Shkolla nuk është një vend argëtimi, as për të kaluar kohën e lirë ata që nuk duan as të mësojnë, as të punojnë. Shkolla është një vend ku mësohet dhe ku disiplina duhet të jetë shumë e fortë. Sepse shkatërruam këtë ingranazh të shoqërisë, më të rëndësishmin në fakt, jemi këtu ku jemi, me një gjeneratë të dalë duarsh e mendsh dhe e paftë të orientohet vetë, e jo më të orientojë vendin.
Një kontribut të madh po japin në drejtim të çorganizimit të shoqërisë (përmes këtyre modeleve në shkolla) pikërisht mediat që ngrenë tallaze kur një nxënës qëllohet me shpullë, por nuk bëjnë lajm faktin që mesatarja e matematikës në rang vendi është 5. Po japin gjithashtu edhe OJQ-të, që janë gati të bëjnë 100 raporte deri në OKB për dhunën ndaj nxënësve (jo për ndonjë arsye të madhe, por sepse kështu marrin më shumë fonde).

Ky mjedis e ka vënë shkollën nën një presion të madh, për t’u qëndruar nxënësve me temena se mos i filmojnë dhe dalin nëpër rrjetet sociale e në media. Por shkolla, para se të tregohet e rreptë me mësuesin, duhet të tregohet e rreptë në zbatimin e rregullit nga nxënësit. Para se të arrestojë mësuesin, policia duhet të arrestojë nxënësit që shkojnë me thika e kaçavida, me të cilat kërcënojnë edhe vetë mësuesit. Ishte e turpshme ajo që bëri prokuroria e gjykata duke dërguar në qeli një mësues. Një mësues që në 25 vjet punë nuk kishte shfaqur asnjëherë shenja dhune, por u detyrua të dilte nga vetja prej një adoleshenti që nuk e linte të bënte mësim dhe që rregulloja nuk ia lejon ta nxjerrë jashtë.

A mos vallë mësuesit duhet t’u marrin leje nxënësve tani që të zhvillojnë mësim? Unë nuk besoj se ka më shumë mësues të dhunshëm sesa nxënës të dhunshëm. Megjithatë, mësuesit e dhunshëm duhet të largohen, kjo nuk duhet të ketë asnjë dilemë dhe shkolla duhet të ofrojë mekanizma ankesash për këtë. Zbatimi i rregullores nuk duhet të varet nga faqja e gallatave “Jeta osh qef”. Por rregullorja duhet të nisë nga nxënësi. Jeta mund të jetë edhe qef, por shkolla nuk osh kurrë qef. Shkolla është detyrim! Në një shoqëri demokratike, njerëzit duhet të gëzojnë po aq liri e të drejta sa edhe detyrime.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: