Ura që lidh 10 fshatra në bashkinë e Poliçanit është drejt rrënimit të saj të plotë. Në ditët me shi kjo urë me dërrasa bëhet edhe më e rrezikshme për banorët që jetojnë në këto zona. Në ditët me reshje, kur përrenjtë fryhen së tepërmi dhe lumi që përshkon fshatin Mbrakull ka prurje të mëdha, kjo urë bëhet pothuajse e pakalueshme.

Banorët e kanë të vështirë të kalojnë mbi të dhe sidomos fëmijët të cilët shkojnë në kopësht apo shkollë. Siç edhe shihet nga pamjet filmike, ura është me kabllo të amortizuara, ndërsa në bazamentin e saj me dërrasa,80% e tyre mungojnë dhe duket sikur kalon mbi lumin që rrjedh rrëmbyeshëm. Tabani i urës, jo vetëm që ka mungesa të dhogave por edhe ato që janë të kalbura.

Pamjet tregojnë qartë që kësaj ure i mungojnë thuajse të gjitha dërrasat dhe për të kaluar mbi të duhet të mbahesh mbi telat e saj anësore. Banorët shprehen se kjo urë me dërrasa është e vetmja që i lidh ata me qytetin. Ata pohojnë se gjendja e shkatërruar e urës i ka izoluar dhe ndërkohë po i detyron edhe të mos ti mbjellim tokat bujqësore, pasi nuk vijnë mjetet për të punuar tokën dhe nuk kanë as si ti nxjerrin prodhimet e tyre në treg.

Banorët pohojnë se ,duke kaluar mbi këtë urë disa banorë kanë rënë edhe në lum por fatmirësisht nuk ka pasur prurje. Sipas banorëve, ura është degraduar totalisht në 6-vitet e fundit, me kabllo të amortizuara, pa dërrasa e që lëkundet e gjitha kur kalon gjysmën e saj, duke u bërë e rrezikshme për jetën e tyre.

Banorët i bëjnë apel shtetit për meremetimin e saj të plotë dhe ndërtimin e një ure me standarde bashkëkohore, pasi siç pohojnë edhe vetë-po u rrezikohet jeta.

Kjo urë është ndërtuar në vitin 1964 dhe është riparuar disa herë nga bashkia e Poliçanit, por vetëm me dhoga dhe kapakë arkash të marra nga ish/Uzina e Armëve.

Mbi këtë urë kalojnë rreth 3500 banorë pasi ura lidh disa fshatra siç janë fshatrat: Malinat, Tërrovë, Teman, Vojak, Zgërbonjë, Lybeshë, Mbrakull, Çepan, Rehovë etj, ndërkohë që në lagjen Çepan të fshatit Rroshnik ndodhet edhe e vetmja shkollë 9-vjeçare dhe gjimnazi, ku mësojnë fëmijët e të gjithë këtyre fshatrave, të cilët çdo ditë duhet të kalojnë dy herë mbi këtë urë për të shkuar në shkollë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: