TIRANË

Shkrimtari shqiptar Gazmend Kapllani ka rrëfyer takimet e tij me ish-presidentin e Greqisë Karolos Papulias, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 92-vjeçare. Shkrimtari Kapllani tregon takimin e tij të parë në Pallatin Presidencial grek dhe bisedën për shqiptarët, ku Papulias ishte shprehur se jo vetëm në Ballkan, por edhe në Europë nuk ka popuj më të afërt se grekët dhe shqiptarë.

Ai vijon me një takim tjetër ku ishte i ftuar dhe ish-presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, teksa thotë se Papulias ishte mbi të gjitha një njeri me zemër të madhe, një patriot mendje hapur grek, me dashuri të vërtetë për shqiptarët dhe se bëri aq sa mundi (shpesh duke u lincuar dhe sulmuar nga qendra të ndryshme dhe të pista ekstremiste dhe irredentiste në Greqi) që dy popujt të vinin më pranë njeri-tjetrit.

MESAZHI I PLOTË

Karolos Papulias e kam takuar për herë të parë, kokë me kokë siç i thonë fjalës, në vitin 2006 –  pasi më ftoi në një takim në Pallatin Presidencial, President i zgjedhur i Greqisë atëherë. “Jam lexues i rregullt i artikujve të tu prandaj desha të takoj” më tha. Atëkohë isha kolumnist i gazetës greke ‘TA NEA’. Më priti jo vetëm me shumë dashamirësi, por edhe me një thjeshtësi që më la shumë mbresa. Pa ia kërkuar dhe pa e pyetur më foli vetë pothuajse një orë, me shumë dashuri dhe pasion për marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe grekëve – sidomos për kujtimet e tij të fëmijërisë duke thënë se shqiptarët dhe grekët jetonin atëherë pothuajse si vëllezër dhe në të dy anët e kufirit që ishte krejtësisht i hapur familjet lidhnin miqësi dhe krushqi. “Jo vetëm në Ballkan, por edhe në Europë nuk ka popuj më të afërt se grekët dhe shqiptarët”, më tha.

Ndoshta ishte një rrëfim paksa romantik, por dukej qartë se perceptimet e tij për shqiptarët vinin kryesisht nga kujtimet e tij të fëmijërisë. Pas disa muajsh më ftoi për darkë në shtëpinë e tij (edhe gjatë mandatit të tij si President vazhdonte dhe jetonte në shtëpinë e tij të thjeshtë pranë qendrës së Athinës) ku takova një çift shqiptarësh të cilët punonin aty dhe njëkohësisht ishin si pjesëtarë të familjes së tij. Hera e fundit që e kam takuar ishte gjatë darkës zyrtare për Z. Bamir Topi, President i Shqipërisë atëherë që vizitonte Athinën, ku isha i ftuar me ftesë personale nga Papulias.

Shpresoj që të ketë shkruar kujtimet e tij të fëmijërisë për bashkëjetesën e grekëve dhe shqiptarëve. Gjëra që besoj se e kishte të vështirë t’i thoshte publikisht – ashtu siç ndodh shpesh në Ballkan, ku kujtimet e njerëzve bien ndesh me rrëfimin zyrtar. Do jetë një dëshmi e vyer.

U prehtë në paqe. Ishte mbi të gjitha një njeri me zemër të madhe, një patriot mendje hapur grek, me dashuri të vërtetë për shqiptarët. Bëri aq sa mundi (shpesh duke u lincuar dhe sulmuar nga qendra të ndryshme dhe të pista ekstremiste dhe irredentiste në Greqi) që dy popujt të vinin më pranë njeri-tjetrit.

Αιωνία του η μνήμη.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb