Çfarë klisheje duhet të shkruaj për të kuptuar “S’ka datë, s’ka ditë, s’ka natë, s’ka muaj, s’ka Mars, nuk ka asgjë kur nuk ka Grua e Vajzë të qetë, të lumtur, të kënaqur, në paqe me cfarëdo rreth saj”? Nuk ka as klishe; më mirë që nuk ka.

Çfarë duhet të shkruaj për një kalendar që nuk e ndalon as Marsi, as 8, as vetë gruaja e vajza dot, që të griset e të rinisë me gratë e vajzat të gjitha atje ku ishin (jo ku janë e jo ku i dërguan). Mund të krijojmë për çdo ditë nga një kujtesë se sa shumë gjëra jemi, bëjmë, duam, dimë…?

Le të jetë Kalendar Marsi, ose Marsian. Këtu në Tokë.
Në datën 1, kujto sa mirë i ke bërë botës që je lindur. Sa mirë që një Grua e një Burrë, prindërit e tu, lindën një vajzë, që ka një emër, një jetë, një personalitet, unikalitet.

Kujto në 2 që je e rrallë; vetëm ti di të jesh ashtu si je. Vetëm ti je lindur për të qenë ti, e nuk zëvendësohesh dot në sa kohë Toka të rrotullohet.

Në datën 3, tako një mike, kupto sa shumë të duan. Në asnjë sekondë, mos beso që kush të do, ka lejen për të të bërë të palumtur, apo se të paktën duhet të falet. Tregoju mirësinë, duke i ndalur nëse s’të duan të mirën.

Pastaj në 4, tako një mik dhe gëzoju miqësisë pa menduar për kokët pas dritareve, për mendjet e mbyllura në shtëpi, për gojët e hapura në rrugë. Ti gëzohu. Jeto gëzimin.

Në 5, shko në atë festën që shumë herë ke dashur, por të kanë ndaluar, sepse ashtu donin të tjerë. Dhe ti ke heshtur e pranuar. Por ti do shumë të jesh sociale dhe e hareshme. Shko.

Kur të jetë 6, 7, 8, ti tregoji botës sa shumë punon, sa shumë mendja jote ndrin, sa shumë duart e tua krijojnë, sa shumë këmbët e tua arrijnë.

Bëj disa ditë pushimi. Meriton edhe të mos bësh asgjë. Sepse ti duhet të riformosh çdo humbje të bukur nga vetja. Do jete mesi i muajit. Ti për disa ditë, do mësosh nga bota. Do dëgjosh, do përzgjedhësh, do vlerësosh, do hedhësh në kosh. Sepse ata që s’të deshën, kanë shumë njohuri për ty. Por ti e di që je më e fortë sepse je Vajzë, je Grua, e ty e mira s’të shteron ballë së keqes.

Rreth 20, 21, 22, ti do i kujtosh vetes se sa shumë do botën tënde të vogël. Familjen, së cilës do i mësosh me durim se ti je vajza që nuk duhet të ndryshojnë, as të përpiqen të diktojnë, as marrin përsipër të vendosin, as detyrojnë. Familjen, të cilën e do sa qenien tënde, duaje edhe më shumë, por mos i jep të drejtën të nisin një jetë në emrin që e mban ti e të t’a bejnë dhuratë pa e dashur.

Në fundmuaj, merr sa më shumë të mirë nga përqark. Trego talente, potenciale, bëj copëza ëndrrash; mos i lër të mbyllura por jetoji. Përmirëso ashtu si do, veten, që të jesh gjithmonë mbi këmbët e tua, me mendjen e pangarkuar keq, me shpirt të pa bërë pis.

Çdo ditë, çdo muaj, kujto e bëj çfarë mendon se pasuron njeriun që je. Vendos limite, kushtoji vëmendje qenies tënde, asaj që për sa kohë Toka rrotullohet, nuk mund të zëvendësohet. Ti e di tani. Nuk zëvendësohet. Je vetëm ti dhe Kalendari ynë. Kalendar Marsi(an). Në Tokë.
Dhe mos u shqetëso, nuk duket dhe aq Marsian.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: