NGA DEFRIM METHASANI

Pak ditë më parë iku nga kjo botë ish-kampioni i trefishtë në sportin shqiptar, Hysen Sharra, boksieri që kurrë në jetë nuk e njohu as nokdaunin e jo më nokautin. 9 herë rresht kampion, që në vitet ’55 deri në vitin ’63, aty ku regjimi i asaj kohe e ndërpreu këtë sport në Shqipëri. Ndërkaq, po kaq herë ai është shpallur kampion në not dhe vaterpol, duke qenë një prej yjeve të sportit shqiptar në vite, vlerësuar me dy tituj: “Mjeshtër i Merituar Sporti” dhe “Nderi i Sportit Shqiptar”.

Ai bëri ligjin në një dhjetëvjeçar, derisa vetë regjimi i kohës ndërpreu përfundimisht një sport si boksi, të cilin e etiketoi si sport borgjez. Por edhe post këtyre viteve, ai përgatiti e drejtoi me maturi, njerëz të aftë që punuan në repartet speciale dhe shumë sektorë të rëndësishëm, që shpëtonin jetë njerëzish apo ndërhynin në fatkeqësi natyrore. Humanizmi, ishte tipari kryesor i një njeriu hokatar dhe tepër të thjeshtë, saqë po ta njihje, nuk e kuptoje Nga Dëfrim Methasani që ky, ishte pikërisht ai Hyseni i madh dhe i fortë i ringut shqiptar.

Medaljet e bronzta në Lajpcig dhe Xhakarta, mbeten relike të mrekullisë së tij në jetën sportive ndërkombëtare, ndërsa fitorja në vitin 1963 me gishtin e thyer në ring, përballë kundërshtarit hungarez, është më shumë se një episod, një histori suksesi përmes sakrificash. Por i gjithë ky kolos, iku vetëm para pak ditësh, në një ditë ku vetëm shiu, familja dhe pak njerëz e miq i bënë shoqëri në qytetin pa jetë në Sharrë…

Ai iku pa e shijuar një titull të lartë, konkretisht “Mjeshtër i Madh”, pa e prekur emociononin që mund të dhurojë ai i shkreti pension i veçantë që e lakmojnë të gjithë, më shumë sesa si lëmoshë, si vlerësim. Por më e keqja, ishte mungesa e atyre që duhej zyrtarisht të ishin në lamtumiren e fundit të një kampioni të trefishtë, njerëzit e federatës së boksit dhe notit, ndërsa një kurorë apo tufë me lule, mungoi edhe nga klubi tek i cili ai dha rininë e tij, Partizani.

Për të bërë gjëra të mëdha, ndoshta duhen para apo investime të tjera, por për të qenë njerëz ose pranë njerëzve, nuk duhet asgjë, përveçse pak kohë në respekt të tyre. Kampionit të trefishtë Hysen Sharra nuk iu bënë homazhe askund, as në sallë, në palestër, pallat sporti, apo ndonjë vend publik e sportiv të dukshëm, por u përcoll në ritmin e lotëve të familjes dhe miqve, fjalëve të një ish-shoku të tij te varri, por edhe indinjatës së familjarëve që askush, përjashto RTSH-në, që të paktën e dha në lajme, apo disa rreshta në njërën prej gazetave sportive, nuk e respektoi njeriun e tyre të dashur, thënë ndryshe heroin e heshtur të sportit shqiptar!

Hysen Sharra, ose Ceni siç e thërrisnin të gjithë, iku duke qeshur, jo pse mori atë që meritonte, por sepse ai dha gjithçka të mirë për vendin dhe njerëzit e tij. Ikja e një kampioni si ai, është më shumë se një dhimbje, mësimi që vetë ne duhet të nxjerrim për njerëzit që meritojnë, veçmas kur ata na ikin nga kjo botë. Hysen Sharra, ishte një kampion- njeri dhe kampion-sportist e trajner që nuk e meritonte heshtjen!

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb