Përpara seancës së sotme të Kuvendit, Grupi Parlamentar i PS po zhvillon mbledhje grupi në sallën e seancave plenare.

Gazetari Ergys Gjencaj raporton për “BalkanWeb” se në mbledhje po diskutohet kandidatura e Presidentit të Republikës për kreun e KLSH, për të unifikuar me sa duket qëndrimin që do të mbajnë në seancë.

Referuar burimeve brenda mbledhjes, gazetari Ergys Gjencaj bën me dije për “BalkanWeb” se brenda grupit të PS ka pasur kritika për kandidaturën e Arben Shehut si kryetari i KLSH.

Kritikat janë shprehur nga Bashkim Fino, Spartak Braho dhe Erion Braçe. Deputetët kërkojnë informacione se përse u pranua kandidatura e Shehut.

Të njejtat burime saktësojnë se pavarësisht kritikave të shprehura, Grupi i PS voton unanimisht pro kandidaturës së Arben Shehut për kryetar të KLSH. Votimi pritet të bëhet të enjten e ardhshme.

Me 15 vota pro, 2 kundër dhe 1 votë abstenim, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi dy ditë më parë kandidaturën e Arben Shehut, i propozuar nga Presidenti Ilir Meta për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Të vetmit që votuan kundër ishin Ylli Shehu, deputeti i opozitës parlamentare nga listat e LSI-së dhe Xhevit Bushaj nga PS.

Më parë Kuvendi i ka rrëzuar 3 kandidatura apo propozime Ilir Metës për kreun e KLSH, Petraq Milon, Vitore Tushën dhe Bahri Shaqirin. Ndërkohë në krye të institucionit me mandat të mbaruar qëndron ende Bujar Leskaj derisa të zgjidhet pasardhësi i tij në krye të institucionit.

Meta e propozoi Arben Shehun më 4 qershor, duke e prezantuar si një person i cili plotëson të gjitha kushtet për të kandiduar në KLSh dhe si një nga njohësit më të mirë të të drejtësisë penale me një eksperiencë mbi 16- vjeçare në jetën akademike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb