Formacioni i Partizanit në ndeshjen e djeshme ndaj Naftëtarit ka pasur disa ndryshime nga ai i Kupës së Shqipërisë. Kështu janë rikthyer në formacion nga minuta e parë dy titullarët e sezonit të kaluar, Idriz Batha dhe Gëzim Krasniqi, që kanë treguar formë të mirë, por ka debutuar edhe Edgar Çani, i cili gjeti edhe rrugën e rrjetës.

Aktivizimi në këtë ndeshje i ka rikthyer Bathës edhe shiritin e kapitenit dhe pritet që mesfushori të jetë në fushë edhe në ndeshjen e kampionatit ndaj Kukësit. Por, ajo që ka rënë në sy ishte mungesa e kapitenit Alban Hoxha që vazhdon të jetë në stol. Ky i fundit ka marrë edhe një gjobë nga klubi dhe u pezullua për takimin ndaj Laçit, pasi kishte thyer rregullat. Do të shihet nëse Hoxha do të rikthehet në fushë në sfidën me Kukësin, që luhet në fillimjavë.

DEKLARATA – Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, trajneri Mark Iuliano është shprehur: “Jam i kënaqur me skuadrën. Mund të them se ishte si ndeshja me Laçin, por sot (dje) nuk i shpërdoruam rastet, pavarësisht se luajtëm përballë një ekipi inferior. Ishte një ndeshje që na shërbeu për anën morale.

Mund të them që kundërshtari na vuri në vështirësi. Naftëtari ishte një skuadër simpatike që luante një futboll të mirë. Që pas këtij momenti do të mendojmë për ndeshjen me Kukësin, ku do të kërkojmë fitoren”, ka thënë trajneri Iuliano.

Partizani u mposht në shifrat 2-0 në ndeshjen e parë të sezonit ndaj Laçit dhe trepikëshi në takimin me verilindorët mbetet një detyrim. Por, i pyetur në lidhje me mosaktivizimin e portierit dhe kapitenit Alban Hoxha në takimin e djeshëm, trajneri italian nuk ka dashur që të bëjë asnjë koment, madje ka dribluar në përgjigjen e tij. “Mora sinjale pozitive si nga lojtarët në fushën e lojës, ashtu edhe nga ata në pankinë”, ishin fjalët e trajnerit, i cili ka dribluar në lidhje me këtë çështje të nxehtë./p.sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: