Komisioni i Ankimimit dhe Sanksioneve ka pranuar kërkesën e Partisë Socialiste për fletën e votimit, duke rrëzuar kështu propozimin e koalicionit të Partisë Demokratike të regjistruar me emrin PD-AN.

PS kërkonte që kandidatët të vendoseshin me numra në listë dhe jo me emra, siç kërkonte PD.

Sipas KAS, orientimi i fletës së votimit do të jetë horizontale. “Ky vendim hyn menjëherë në fuqi dhe publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së. Për këtë vendim mund të bëhet ankimim.”, tha përfaqësuesi i KAS.

Burime për gazetarin e ‘News24 dhe ‘BalkanWeb’ Ergys Gjençaj bënë me dije se Partia Demokratike do të ankimojë vendimin në Kolegjin Zgjedhor. Kujtojmë se PD kërkonte që fleta e votimit të ishte me emra kandidatësh në formatin “portrait” ose të shkruar në mënyrë vertikale.

Përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso tha se do të apelojë në Kolegj edhe vendimin e KAS për fletën e votimit, por edhe atë që lidhet me logon dhe përplasjet me ‘Bindjen Demokratike’. Mësohet se përfaqësues të ;Bindjes Demokratike; kanë vendosur që të ristilizojnë logon, por që kjo nënkupton që poshtë saj të vendoset emri i partisë. Kjo gjë duket se nuk ka kënaqur PD-në, e cila do të apelojë në Kolegjin Zgjedhor këtë çështje.

Me vendimin që mori sot KAS, nëse do të jetë në fuqi ky model, në zgjedhjet e 25 prillit qytetarët do të zgjedhin për të votuar kandidatin e preferuar jo me emrin e tij, por në numrin përkatës.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: