Në një rrugë në mes të Harkivit të goditur rëndë nga lufta, Hamlet Zinkivskiy ndalet dhe shikon xhamat e thyer të dritareve, që i ngjasojnë me mozaik, teksa në to reflekton drita e diellit.

“Nëse nuk e mendoni vdekjen dhe shkatërrimin, kjo duket e bukur”, thotë Zinkivskiy, një artist, i cili ka lindur në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës. Ai, sikurse shumë banorë të këtij qyteti, ka qenë dëshmitar se si qyteti është shkatërruar nga bombat dhe raketat ruse.

Shumë kohë para se të niste pushtimi rus në shkurt, ky artist 35-vjeçar, ishte i njohur në Ukrainë dhe më gjerë për muralet e tij. Ai ndonjëherë i kujton muralet bardhë e zi që kishin ndryshuar fytyrën e Harkiviti dhe ishin bërë emblema të një brezi të ri që përpiqej të shkëputej nga identiteti post-sovjetik i qytetit.

Qyteti i dashur i Zinkivskiyt, që gjendet vetëm 30 kilometra nga kufiri me Rusinë, është goditur rëndë qëkur ka nisur pushtimi. Në ditën e parë të pushtimit, më 24 shkurt, trupat ruse arritën në pjesën veriore të periferisë së qytetit, duke e vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij.

Sikurse shumë banorë të qyteteve ukrainase që ishin nën sulm, Zinkivskiy u strehua atë natë në stacionin e metrosë të qytetit. “Nata në stacionin e metrosë… ishte eksperienca më e keqe e jetës sime”, kujton ai. “Frikë totale, panik total, një i ftohtë i paparë”.

Që atëherë, Harkivi ka kaluar nëpër shumë kohë të vështira, por qyteti nuk ka rënë. Në mesin e muajit maj, njësitë ruse u dëbuan nga rrethinat e qytetit, dhe në mesin e shtatorit forcat ukrainase rimorën pothuajse të gjithë territorin e rajonit të Harkivit që rusët kishin pushtuar, duke i dhënë një goditje të rëndë Moskës përmes një kundërofensive të shpejtë, që befasoi shumë vëzhgues dhe shumë banorë të këtij qyteti.

Një makinë dhe ndërtesa të shkatërruara në lagjen Salltivka të Harkivit.
Një makinë dhe ndërtesa të shkatërruara në lagjen Salltivka të Harkivit.

Ndërkaq, jeta e Zinkivskiyt ka ndryshuar plotësisht. Ai i është bashkuar batalionit ushtarak të vullnetarëve Hartia, dhe ka vendosur, siç shprehet, “të bëjë më të mirën në çdo minutë për të shkatërruar Rusinë dhe për të krijuar Ukrainën e së ardhmes”.

Zinkivskiy, i cili tashmë është vizitor i rregullt i një poligoni të qitjes dhe mban me vete dy thika, thotë se do të jetë i gatshëm të luftojë kur të jetë e nevojshme. Por, tash për tash, thotë ai, komandanti i ka kërkuar që të bëjë atë që ai di të bëjë më së miri: të vizatojë çfarë të dojë, kur të dojë, të ngrehë moralin e atyre që mbrojnë qytetin.

“Kurrë nuk kam jetuar kaq shumë”, është përshkrimi i një prej punimeve të tij të fundit – megjithëse paraqitja e zymtë e një stoli bosh të parkut dhe një luhatëse boshe, duket se përcjell një mesazh të errët për personat që janë larguar nga qyteti.

"Kurrë nuk kam jetuar kaq shumë", shkruan në një prej muraleve të krijuara nga Zinkivskiy.
“Kurrë nuk kam jetuar kaq shumë”, shkruan në një prej muraleve të krijuara nga Zinkivskiy.

Deri më 29 shtator, 1.277 civilë janë vrarë dhe 2.348 të tjerë janë plagosur si rezultat i veprimeve të Rusisë, ka thënë Oleh Synyehubov, guvernator dhe kreu i administratës rajonale ushtarake të Harkivit.

Deri së voni, Harkivi ka qenë cak i bombardimeve të shpeshta, dhe sulmet ndaj infrastrukturës së këtij qyteti nuk janë ndaluar, pavarësisht se forcat ruse janë tërhequr nga rajoni.

“Dikur ndalova së lexuari lajmet për sulmet e njëpasnjëshme ajrore”, thotë Zinkivskiy. “Zgjohem, jam i lumtur që jam gjallë dhe vazhdoj të bëj punën time”.

*Video nga arkivi: Shkatërrimi i Harkivit

Ai ka vizatuar me ngjyrë të bardhë afër disa gjurmëve që kanë lënë në rrugë municionet thërrmuese, duke i shndërruar ato në lule. “Ata nuk u pritën me lule – prandaj na dhanë lulet e tyre”, thotë ai – një referencë për pritshmërinë e gabuar se shumë ukrainas do të mirëprisnin krahëhapur forcat pushtuese ruse.

"Pse një lule e tillë" - shkruan në këtë vepër të Zinkisvskiyt. Ai e ka shndërruar një gjurmë municionesh në një lule.
“Pse një lule e tillë” – shkruan në këtë vepër të Zinkisvskiyt. Ai e ka shndërruar një gjurmë municionesh në një lule.

Për Rusinë e presidentit Vladimir Putin, që është e vendosur për ta nënshtruar Ukrainën, Harkivi – një qytet i banuar me popullatë kryesisht rusisht-folëse dhe pranë kufirit – është ndoshta synimi më i rëndësishëm, pas Kievit. Por, të dy qytetet kanë shpëtuar nga kthetrat e Moskës, gjë që nuk pritej kur raketat filluan të binin dhe forcat ruse u sulën nga kufiri në fund të shkurtit.

Përderisa lufta vazhdon për më shumë se shtatë muaj, rrugët në qendrën e qytetit – ku Zinkivskiy ka realizuar dhjetëra punime për më shumë se një dekadë – janë me ndërtesa krejtësisht apo jashtëzakonisht të dëmtuara, që kanë xhama të thyera dhe mure me ngjyrë të zezë për shkak të zjarreve. Shumica e ndërtesave tani janë të pabanuara dhe hyrjet e ndërtesave janë të bllokuara me panele kompensatë.

Mbi këto panele, që shërbejnë si mbrojtëse për derën e ndërtesës së këshillit të qytetit, Zinkivskiy ka vizatuar një bombol të madhe benzine, disa koktej molotovi dhe ka shkruar: “Mikpritja djallëzore”.

Artisti Zinkivskiy qëndron pranë muralit të tij ku shkruan: "Mikpritje djallëzore".
Artisti Zinkivskiy qëndron pranë muralit të tij ku shkruan: “Mikpritje djallëzore”.

Në një hyrje tjetër, ai ka vizatuar disa çelësa dhe ka vendosur këtë përshkrim: “Këta çelësa kanë humbur dyert e tyre”.

Shumë banorë të Harkivit janë të zhdukur: disa kanë vdekur dhe pothuajse gjysma e popullsisë prej 1.4 milion banorësh e qytetit është larguar për shkak të luftës.

Shumica e miqve të Zinkivskiyt janë larguar nga qyteti dhe shumë prej tyre nuk do të kthehen shpejt, thotë ai. Por, Zinkivskiy tani ka miq të rinj: ushtarë dhe vullnetarë.

Artisti flet hapur për luftën dhe thotë se nuk është i pakompromis ndaj Rusisë ose ndaj kujtdo që është i gatshëm të pranojë një kompromis me presidentin rus, Vladimir Putin. Por, veprat e tij vazhdojnë të jenë skeptike dhe kundërthënëse, ashtu siç kishin qenë edhe para luftës.

“Lufta të vjedhë shumë kohë dhe mundësi. Lufta të jep shumë kohë dhe mundësi”, shkruan në një prej veprave që ai ka punuar së fundmi, ku paraqitet një kolovajzë që i ngjan një peshoreje.

"Lufta të vjedh shumë kohë dhe mundësi. Lufta të jep shumë kohë dhe mundësi".
“Lufta të vjedh shumë kohë dhe mundësi. Lufta të jep shumë kohë dhe mundësi”.

Zinkivskiy thotë se kurrë nuk kishte menduar se do të kalonte shumicën e kohës duke mbledhur dhe menaxhuar paratë për kamionët ushtarakë dhe syzet ushtarake për shikim gjatë natës – gjëra që tashmë ai i bën përveç pikturimit.

Ai thotë se do të dëshironte të ishte së bashku me gruan e tij për të festuar përvjetorin e parë të martesës – për shkak të luftës, ata kaluan vetëm katër muaj së bashku gjatë këtij viti – por, ajo është në Austri dhe ai nuk mund ta imagjinojë largimin nga Ukraina.

Duke ecur në rrugët e Harkivit, Zinkivskiy kujton se kur ishte 17 vjeç, kishte lexuar diku se arti i vërtetë është i mundur vetëm në kohë kataklizmash, sikurse lufta dhe revolucioni. “Për pak shpërtheva në lot – mendova se kjo do të thotë se nuk ka kuptim të bëhesh artist në Ukrainë sepse asgjë nuk ndodh kurrë këtu”, thotë ai.

Një vit më vonë, më 2004, nisi Revolucioni i Portokallinjtë – protesta të mëdha që rrëzuan gardën e vjetër, duke përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, që protestuesit thanë se ishte arritur përmes mashtrimit të gjerë.

Në atë moment, Zinkivskiy, tregon duke qeshur: “Mendova, ‘perspektivat nuk janë edhe aq të këqija’”.