Nga: Blendi Fevziu*

(Këto shënime janë nxjerrë nga Ditari politik dhe rrëfejnë eksperiencën time në 4 ditë që tronditën Shqipërinë e pranverës së vitit 1991. Janë ditët e nisjes së eksodit të madh me anije)

6 Mars 1991, e merkure
Sot kishim takim me Ministrin e ri të Arsimit. Quhet Kastriot Islami dhe është pedagog i fizikës. U çova herët dhe bashkë me Ben Blushin dhe Armand Shkullakun shkuam direkt në zyrën e tij. Ministri i Arsimit na kishte thirrur për t’i dhënë përgjigje kërkesës sonë për legalizimin e Shoqatës Studentore Shqiptare. Nuk pranonte ta legalizonte. Ishte nervoz. Unë nuk jam si bllokmenët, tha, rri vetë në rradhë edhe për qumësht, edhe për patate. Kam ndenjur një orë dje në pazarin e ri. Pastaj na shpjegoi që nuk kishte as shtëpi dhe se ishte pedagog dhe jo politikan. Dy – tre herë futi dorën në xhep duke na shpjeguar se kishte një bursë për në Gjermani. Ne kundërshtuam, por ai qe i prerë: nuk e legalizoj. Pse ide është kjo të legalizojmë shoqata në këto kohë!

Kur dolëm që andej rruga e Kavajës ishte plot. Mijëra e mijëra njerëz kishin nisur sulmin drejt ambasadave të huaja në rrugën “Skënderbej”. Ambasadat qenë rrethuar me policë të armatosur. Njerëzit sulmonin, tërhiqeshin, mblidhnin gurë dhe sulmonin përsëri. Policët përdornin vetëm shkopinjtë e gomës. Kaluam nga stacioni i trenit. Me qindra mijëra vetë vareshin mbi çdo lloj treni, pa pyetur ku shkonte ai, të bindur se gjithë Shqipëria kishte një destinacion- Durrësin.

Kur u kthyem në shesh kishte nisur përleshja. Luftohej diku pas piedestalit bosh të Enver Hoxhës. Njerëzit kishin pushtuar sheshin dhe nuk e lëshonin. Dy ambulanca ikën me ngut drejt spitalit. Me sa dukej kishte të plagosur. Krisma nuk dëgjoheshin. Sambistët kishin rrethuar dhe ruanin muzeun. Ishte mesditë. Pranë shtëpisë takova Ilin, një prej shokëve të fëmijërisë.

-Po iki. tha ai.

-Ku?

-Në Itali. Buzëqeshëm të dy në të njëjtën kohë. Nuk na besohej. I dhashë dorën dhe desha ta përqafoja. Ai vetëm sa ma toku.

-Lere, tha, i kam inat dramat. Prite kur të vij më darkë me trenin e 9 e gjysmës.

Ai ishte treni i fundit që kthehej nga Durrësi dhe dhe unë e besova. Nuk e mendoja shumë ikjen. Ili ishte shumë i tensionuar. Iku. E ndoqa me sy deri në fund të rrugës. Atë imazh nuk mund ta zhduk nga mendja.

Në lajmet e mesditës RAI- njoftoi edhe njëherë se gjendja po bëhej kritike. Kishin mbërritur më se 7000 vetë dhe sipas njoftimeve priteshin edhe rreth 10000 të tjerë. Refugjatët qenë vendosur në bankinat e porteve të Brindizit e Barit mbuluar me mushama të trasha. Mungonte ushqimi dhe vendet për nevoja personale. Në rast se nuk merreshin masa urgjente rrezikoheshin nga epidemitë

Mbasdite nga qendra u dëgjuan krisma. Sulmi ndaj ambasadave qe egërsuar. Dikush lajmëroi se , porti u mbyll dhe ambasadat mbeteshin shpresa e fundit. Njerëzit sulmuan edhe njëherë fort. U dëgjuan thirrje, krisma. Mesa duket qëllohej në ajër, Njerëzit luftuan deri natën vonë.

Po atë natë emisionet televizive ltaliane ja lanë vendin kronikave nga Bari dhe Brindizi. Transmetoheshin direkt mbërritjet e anijeve zbritjet e refugjatëve dhe thirrjet e tyre.

-Shqiptarët, tha një vlonjat që u intervistua italisht, do të ikin hipur edhe mbi peshq. Gjendja në Shqipëri është e pashpresë.

Komentatori italian vuri re se shumica e tyre kuptonin italisht dhe ishin çuditërisht mjaft të sjellshem. RAI jepte herë herë pamjet e anijeve të mbushura plot, me dhjetra mijëra vetë përsipër që shfaqeshin përballë portit të Brindizit.

Po ato çaste, në qendër të Tiranës, vazhdonin krismat. Siç mora vesh të nesermën në përpjekje qe vrarë një djalë 13 vjeçar i quajtur Spartak Deliu. Ishte 6 mars 1991, prag mesnate.

7 mars 1991, e enjte
Në mëngjes nga Porti i Durrësit u nis anija e fundit. Një vapor panamez i mbetur në rërë nga dreka me emrin e cutishëm LEGEND. Me pothuaj 8000 vetë ai lundroi ashtu drejt Barit, duke bartur me vete refugjatët e fundit klasik të botës moderne. Ata që qenë strehuar atje kishin kaluar gjithë natën të ngjeshur si sardele duke pritur nisjen. Anija ishte e ngarkuar me çimento dhe kapitani kishte frikë se mbi 8000 vetë ishte një ngarkesë e frikshme dhe mund të fundoste anijen. Kur u shfaq, përballë brigjeve italiane, pothuajse të gjithë qenë të shokuar.

Pas tij porti u mbyll. Mijëra ushtarë të armatosur bllokuan hyrjet dhe policia nisi spastrimet e iluzionistëve që në pritje të një shansi të ri mbushnin parqet e qytetit. Në anijen difektoze “Partizani” vazhdonin të ngujuar rreth 1500 vetë.

9 mars 1991, e shtune
Në të gdhirë, u nxorrën jashtë me dhunë edhe ata pak vetë që vijonin të qëndronin në anijen Partizani. Qëndruan atje plot 3 ditë në pritje të nisjes për në Itali. Thuhej se midis tyre pati të vdekur apo të humbur në det.

Po sot në Beograd kanë nisur protesta kundër Millosheviçit. Rai njoftoi se sot ështa kapur dhe rrahur keq një drejtues i opozitës, shkrimtar, i quajtur Vuk Drashkoviç.

11 Mars 1991, e hënë
Imazhet e refugjatëve vijojnë të trondisin netët tona. Pamjet që TV- ja transmeton, reportazhet që gazetat vazhdojnë t’i botojnë kanë krijuar një mall të çuditshëm. Një pjesë e ndodhive kanë nisur të shndërrohen në barcoleta thuajse shqiptarët duan ta kalojnë edhe këtë dramë me humor. Dje, gazeta “Republika” botoi një poezi të mrekullueshme dërguar nga njëri prej refugjatëve. Ishte nata përpara ikjes kur ata pritnin vaporin në breg. Ne po ikim, thoshte ai, po a do t’i marrim me vete kitarat dhe këngët, po baladat kujt do t’ja lëmë, po varret e të parëve a do t’i bartim kudo me vete. Është ndoshta nga poezitë më të mrekullueshme që kam lexuar ndonjëherë.

Edhe në kampin studentor ka rënë heshtja. Në komisionin drejtues të PD-së, është larguar studenti bjond e i heshtur Tefalin Malshyti. Anëtaret e komisionit nuk thonë asgjë, të shokuar jo vetëm nga ikja e tij, por edhe e shumë aktivistëve të tjerë, midis të cilëve edhe një inxhinier që kishte marrë me vete listat e vëzhguesve të zgjedhjeve të 31 marsit.

Nga komisioni i grevës së urisë mungojnë Ilir Dizdari, Mesila Dode, Blendi Gonxhe, i cili ka ikur disa ditë më parë në Athinë, Arjan Manahasa, e pas tyre Sokol Tafaruçi e qindra të tjerë.

Tirana është si e shokuar. Shumë njerëz ndihen si fajtorë që nuk kanë ikur, ndihen si fajtorë që janë ende këtu dhe të tjerë ngushëllojnë njëri – tjetrin se do të ikin pas zgjedhjeve. Ta hedhim edhe votën për PD, pastaj, më tha Pirro Thanasi.

Blendi Fevziu
(Marrë nga ditari politik 1989 – 2015)

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: