Partizani nuk mundi të dilte me një rezultat pozitiv nga ndeshja e fundit e kampionatit përballë Elbasanit. Të kuqtë u mposhtën me rezultatin 3-0, pavarësisht se nga minuta e 21-të kundërshtarët mbetën me 10 lojtarë në fushë pas daljes me karton të kuq të Mustës.
Kryeqytetasit krijuan në pjesën e parë, por sërish kjo nuk mjaftoi dhe në fund pësuan disfatën e dytë radhazi pas sfidës së humbur ndaj Vllaznisë. Në këtë ndeshje me Elbasanin, trajneri Oltijon Kërnaja provoi të shkundë disi skuadrën me rotacionet, teksa në stol përfunduan titullarë si Ismaili e Dumbia, të zëvendësuar nga Qaka e Murataj, ndërsa ishte preferuar nga minuta e parë edhe Janjeva, ndërsa në krahun e djathtë të mbrojtjes Buxhelaj zëvendësoi Atanaskoskin e pezulluar prej kartonëve.
Sakaq, në sulm, në mungesë të Skukës, që nuk ishte i gatshëm për të dytën ndeshje me radhë, këtë herë në vend të Kontreras, që u aktivizua me Vllazninë, ishte preferuar Rrok Toma. Por, pavarësisht të gjitha këtyre ndryshimeve dhe idesë për të rigjeneruar energjitë në fushë, sërish kryeqytetasit dolën të mposhtur dhe nuk erdhi reagimi i pritur nga i gjithë ambienti i kuq.
Kjo humbje ka vendosur sërish në dyshim arritjen e objektivit për Partizanin, që aktualisht është në kuotën e 44 pikëve, po aq sa Dinamo, por me të kuqtë që për momentin kanë zbritur në vendin e pestë dhe e shohin veten jashtë zonës së “Final Four”. Ndeshja e ardhshme për Partizanin ndaj Bylisit në “Arenën e Demave” tashmë merr edhe më shumë vlerë, pasi një tjetër hap fals mund të rezultojë fatal.
