TIRANË

Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi tha se deri tani nuk ka asnjë komunikim me partitë politike. Celibashi iu përgjigj institucionalisht pyetjes se kë njeh si kryetar të PD-së dhe tha se deri në momentin e regjistrimit të partive nuk ka përgjigje.

“Deri në momentin që flasim nuk kemi asnjë komunikim me asnjë parti politike. Natyrshëm unë mund të them diçka, por do duhet ta kem sjelljen në mënyrë korrekte institucionale dhe vetëm për këtë shkak dhe asnjë arsye tjetër, nuk kam droje për t’i thënë opinionet dhe mendimet e mia, por do duhet të jem institucional. Në momentin që do të paraqiten kërkesat për regjistrim të partive politike do jetë përgjigja e pyetjes tuaj që mund të jetë e ditur edhe tani”, deklaroi Celibashi.

Ndërkohë i pyetur kë do të regjistrojë KQZ si subjekt Komisionin e Rithemelimit të PD apo PD-në zyrtare, ai tha se Partia Politike e cila kërkon të regjistrohet si subjekt zgjedhor në KQZ do të paraqesë një sërë dokumentesh, një prej këtyre dokumenteve është dhe një vërtetim nga Gjykata e Rrethit i cili përmban të dhënat mbi partinë politike, përfshi këtu emrin e partisë politike, organet drejtuese të partisë, organet kompetente për të mbajtur marrëdhëniet me të tretët, përfshi këtu dhe KQZ-në.

“Kështu që nuk është një çështje e KQZ-së, është një çështje që është e përcaktuar mirë nga ligji dhe në momentin kur të fillojë regjistrimi i partive politike, ju do të merrni dijeni për partitë politike që regjistrohen dhe përfaqësuesit e tyre. Natyrshëm si komisionerët shtetërore, apo dhe në rastin kur vendimmarrja do jetë e organeve të tjera, dijenia merret pasi merren vendimet përkatëse”, tha Celibashi.

Ai tha se sot ose ndoshta nesër paradite do të kalojmë aktet që lidhen me përcaktimin e afateve të regjistrimit të subjekteve zgjedhore, parti politike, koalicion dhe kandidatë.

“Nga ligji kemi dy afate të përcaktuar. Është 25 janari që lidhet me hartimin e listave të zgjedhësve nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe 27 janari që lidhet me miratimin dhe shpalljen e tyre nga kryetarët e bashkive, ata që janë duke ushtruar detyrën e kryetarit të bashkisë në këto 6 bashki”, u shpreh kreu i KQZ-së.

Lidhur me kandidatë të mundshëm me precedentë, nisur nga 2 raste të mëparshme, ai theksoi se është një mësim për të gjithë, më së pari për partitë eksperienca e shkuar. “Nuk do të thotë që nuk do të kemi impenjim të tillë nga KQZ për të bërë verifikime të thelluara. Koha është e mjaftueshme për të bërë verifikime të domosdoshme për të dhënat mbi kandidatët potencialë për kryetarë të bashkive”, tha Celibashi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: