Teatri kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ansambli Popullor ka vënë në skenë koncertin “Jehona jonë” me këngë dhe valle popullore ose këngë të njohura.

Një prej pjesëve të interpretuara është edhe “Festë të madhe ka sot Shqipëria” e cila ka ngjallur debat të madh për shkak se teksti i saj në origjinal bart vargjet “O – rrofsh sa malet/ Moj Parti kreshnike/ Me Enver Hoxhën/ O – zemër celike” apo “O – qesh e gëzohu/ Moj Shqipnija jonë/ Se bacë Enveri/ Neve na drejton”.

Në një postim të datës 12 janar në faqen zyrtare në Facebook, TKOBAP ka publikuar një pjesë provash ku shënon se ”Festë të madhe ka sot Shqipëria”, një valle emblemë e Ansamblit Popullore, me koreografi të mjeshtrit të valles shqipe, profesor Panajot Kanaçi, dhe muzikë të të madhit Tish Daija, që do të interpretohet nga Grupi i Valles së AP-së, nën drejtimin e Brikena Jaupaj, në koncertin e datës 16 janar. Mos e humbisni këtë performancë fantastike të artistëve tanë”.

Postimi shfaq edhe një video të interpretimit të ansamblit.

“Interpretimi i këngës dhe valles është cilësuar i neveritshëm, nga profesor Ermal Hasimja,  i cili e sheh si riciklim të himneve komuniste.

 

Në një reagim për News 24 dhe Balkanweb, Teatri i Operas sqaron se “Teksti është i rishikuar, nuk është më teksti i dikurshëm. Janë mbajtur muzika dhe disa fjalë nga “Festë të madhe ka sot Shqipëria”. Nuk përmenden në asnjë pjesë të tekstit, partia”.

Në skenë, teksti ka qenë ky, siç mund të shihet edhe nga video, pohon institucioni: “O fest’ e madhe
O Ka sot Shqipnia, o keng e valle
O per jeten e re
O qesh e gezoju
moj Shqipnija jone
Se keng e valle
Do kemi gjithmone”.

Megjithëkëtë debati mbi trashëgiminë artistike të para ’90-s është sa i vjetër po aq i ri. Pyetja është ajo që ka qenë: çfatë do të bëjmë me trashëgiminë e së shkuarës? Çfarë do të bëjmë me artin e krijuar në kushte e rrethana thellësisht ideologjike? A mundet rishkrimi i tekstit të shpëtojë pjesën tjetër apo gjithsesi bart reminishenca që e relativizojnë?

Në një anë janë intelektualët që argumentojnë se arti i periudhës komuniste bart shumë prej ideologjisë, e një pjesë tjetër që e shohin artin të ndarë nga ajo që përcillte. Shoqëria shqiptare është ende e dyzuar e shpesh e paqartë ose në fund, indiferente dhe në mënyrë të pandërgjegjshme e indoktrinuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: