TIRANE – Lufta mes Kosovës dhe Serbisë ka shënjuar jetën e shumë njerëzve. Si pasojë e kësaj lufte u dëbuan mijëra njerëz dhe shumë të tjerë u ekzekutuan. Një prej personave që e ka vuajtur këtë periudhë, është dhe këngëtari i njohur Mentor Haziri. I ftuar tek “Rudina” ai tregoi për momentet e vështira të luftës që kaloi ai dhe familja e tij.

Haziri tha se ushtarët serbë kishin rrethuar 500 persona në një mal për t’i ekzekutuar dhe se në ato momente, ai lutej të vdiste i pari që të mos shihte atë që mund të ndodhte me të dashurit e tij.

Hazir
Hazir

“Në kohën e luftës kur flluan bombardimet, ne ikëm në një fshat në Kosovë dhe 2 javë më vonë filluan të na sulmojnë forcat serbe. Në orën 08:00 të mëngjesit kemi dalë 500 veta në mal dhe aty na kanë kapur të gjithëve, na kanë mbajtur disa orë dhe na kanë plaçkitur. Më pas, na vunë në rend për të na vrarë, ndanë burrat veç dhe gratë veç dhe prisnin urdhër për të na vrarë. Është histori shumë e dhimbshme. Në ato momente ajo çfarë mendon një njeri është që të vdesë i pari, që të mos shohë se çfarë do të ndodhë. Lutesha të vdisja i pari. Por 500 veta nuk mundën të na vrasin, sepse do të ishte masakër e madhe, nuk morën urdhër për të na vrarë. Na nxorën në autostradë dhe aty unë jam ndarë nga familja ime. Mua më kanë ngritur në tren dhe kam qëndruar për një muaj në Maqedoni dhe kam punuar për refugjatë të tjerë. Deri kur është çliruar Kosova nuk kam patur asnjë kontakt me familjen time dhe nuk kam ditur asgjë për ta”, tregoi këngëtari i njohur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb